Afganistan-SHBA, të martën nënshkruhet marrëveshja e re e sigurisë

29/09/2014 00:00

Afganistani do të nënshkruajë një marrëveshje të re sigurie, tepër të rëndësishme, e cila do t’iu lejojë Shteteve të Bashkuara të lënë një kontigjent të vogël trupash ushtarak në vend përtej këtij viti.

Lajmi është bërë i ditur nga ambasadori amerikan James Cunningham, gjatë së hënës, i cili tha se Presidenti i ri i Afganistanit, Ashraf Ghani, do të dërgojë një përfaqësues për të nënshkruar marrëveshjen mëngjesin e ardhshëm, në pallatin presidencial të Kabulit.

Cunningham shtoi gjithashtu se vet ai do të nënshkruajë në emër të Shteteve të Bashkuara, kjo për shkak se protokolli lejon Ghanin të nënshkruajë dokumente vetëm me krerë të tjerë shtetesh.

Ndërkohë, e hëna shënoi edhe ditën e parë dhe atë të betimit për Presidentin e ri të vendit, pas thuajse një dekadë, teksa teknokrati Ashraf Ghani do të drejtojë një qeveri me pushtet të shpërndarë, për të cilën në fakt tërheqja e shumicës së trupave të huaja ushtarake përfaqëson një test të vështirë.

Kalimi i parë demokratik i pushtetit në historinë e Afganistanit ka kaluar në një situatë shumë larg të qenit e qetë. Marrëveshja për një qeveri uniteti është hartuar pas disa muajsh ngërçi me votimet, të cilat si Ghani, ashtu edhe kundërshtari i tij Abdullah Abdullah i konsideruan si të fituara.

Ndërkohë që ilustrohen problemet me të cilat do të përballet Presidenti i ri, një kamikaz hodhi veten në erë duke vrarë 7 persona në një pikë kontrolli pranë aeroportit të Kabulit, shumë pak përpara se Ghani të betohej si President i vendit. Përgjegjësia e këtij sulmi është marrë nga talebanët.

Në fjalimin e tij inaugurues, Ghani apeloi ndaj talebanëve dhe militantëve të tjerë t’u bashkohen bisedimeve për paqe dhe t’i japin fund dhunës më shumë se dhjetëvjeçare. Ndërsa marrëveshja e re e sigurisë, që do të nënshkruhet të martën, me Shtetet e Bashkuara duket se do t’i japë fund pasigurisë prej disa muajsh se cili do të jetë roli i SHBA-ve në Afganistan.

Top Channel