HEC-et private: Qeveria po na sulmon

29/09/2014 00:00

Prodhuesit privatë të energjisë akuzojnë Qeverinë se po i përbalt pa të
drejtë, me qëllim që t`u faturojë shkaqet e rritjes së pritshme të
çmimit dhe krizës financiare të sektorit energjetik.

“Nëqoftëse Qeveria do të kërkojë të gjejë faktorin e vërtetë të kësaj krize le ta gjejë tek menaxhimi i kompanive shtetërore, OSHEE-ja dhe KESH. Sigurisht dhe mospagesa e energjisë, dihet tashmë që mundet të shkojë në 40 deri në 50 për qind. Këta prodhues të vegjël nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë prodhimin dhe duke shtuar prodhimin nuk ka se si të ketë krizë”, thotë Eugen Lici, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme.

Në tre vitet e fundit KESH ka importuar 431 milionë euro energji elektrike nga jashtë, me një çmim mesatar 58 euro për megavat. Edhe pse për të njëtën periudhë çmimi i blerjes nga HEC-et private ka qenë 64 euro për megavat, drejtori ekzekutiv i shoqatës thotë se një pjesë e madhe e tij shkon sërish në shtet.

“Nëpërmjet çmimit 64 euro për megavat, një të tretën e këtij çmimi e merr mbrapsht shteti shqiptar në forma të ndryshme, qoftë tatim fitimi, qoftë divident, paga, shpenzime për sigurime shëndetësore etj”, thotë Lici.
   
Por, sipas Shoqatës, përfitimet që ka ekonomia nga HEC-et private janë shumë më të mëdha duke nisur nga investimet, të cilat deri më tani kanë kapur shifrën 500 milionë euro.

“Në fund të fundit këto HEC-e pas 30-35 vitesh do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Në ato HEC-e që janë aktualisht në punë, numri i tyre mund të jetë në total rreth 1500 të punësuar, pa llogaritur ata që kanë kontribuar në momentin e ndërtimit të këtyre veprave, duke patur parasysh që këto janë vepra që ndodhen në skaje fundore, në zona malore janë vepra që sjellin një impakt social në ato zona, sjellin njëfarë zhvillimi ekonomik nëpërmjet punësimit të njerëzve, nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës”, thotë Lici.

Shoqata thotë se shteti është duke ndjekur një politikë armiqsore ndaj prodhuesve private të energjisë, ku edhe pse po shlyen borxhet ndaj të gjitha bizneseve të tjera, ata nuk po i paguan prej vitesh.

“Një pjesë që po shkojnë drejt falimentimit. Borxhi aktualisht është mbi 50 milionë euro. Ndërkohë që këta prodhues kanë gati një vit që nuk kanë marrë pagesat për energjinë e prodhuar, përbalet ose akuzohen shpesh si shkaktarë të krizës në sektorin energjetik. Përpos kësaj, ata janë të detyruar të paguajnë detyrimet, taksat, do të paguajnë punonjësit e tyre”, thotë Lici.

Top Channel