Spanjë, Kushtetuesja pezullon referendumin e Katalunjës

29/09/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese e Spanjës pezulloi gjatë mbrëmjes së të hënës referendumin e Pavarësisë, që pritej të mbahej nga Katalunja në Nëntor, edhe pse forcat politike në rajonin e pasur të Verilindjes vijojnë me fushatën politike përpara votimit të planifikuar.

Qeveria qendrore e Spanjës i kërkoi më herët gjatë ditës gjykatës, që ta deklaronte votimin të jashtëligjshëm, për shkak se ai shkel Kushtetutën e vendit. Ndërkohë që do të duhen vite për Kushtetuesen që të vendosë mbi këtë çështje, votimi është pezulluar efektivisht nga vendimi i gjykatës për të pranuar shqyrtimin e çështjes.

Një zëdhënës tha se 12 gjykatësit e Kushtetueses mbërritën në vendimin e tyre pas një takimi emergjent që zgjati rreth 1 orë.

Katalunja, e cila është edhe burim i thuajse 1/5-tës së ekonomisë spanjolle, ka gjuhën e saj dhe kulturë të dallueshme, si dhe ka luftuar gjatë për një autonomi më të zgjeruar.

Por, kryeministri spanjoll Mariano Rajoi, i cili foli më herët gjatë së hënës, tha se asnjë grup spanjollësh nuk mund të marrin vendim mbi sovranitetin, e që prek të gjithë vendin. Ai ndjeu keqardhje për vendimin e Presidentit rajonal të Katalunjës, Artur Mas, për të mbajtur referendumin.

“Më vjen keq për të, sepse është i kundraligjshëm, është përtej ligjeve demokratike, përçan katalanasit, i distancon ata nga Europa dhe nga pjesa tjetër e Spanjës, si dhe shkatërron seriozisht mirëqenien e tyre”, tha Rajoy në një konferencë për shtyp, pas një takimi të kabinetit të tij.

“Të mos përmendim këtu edhe frustrimin që ai i shkakton një pjese të madhe të popullit katalanas, duke i inkurajuar ata të marrin pjesë në një iniciativë që, për shkak të paligjshmërisë së saj, nuk do ta shohë dritën e diellit”.

Artur Mas, lider i Katalunjës, nënshkroi një dekret gjatë së dielës, me anë të të cilit bënte thirrje për votime më 9 Nëntor për t’u ndarë nga Spanja, duke vendosur qeverinë e tij lokale në një kurs përplasjeje me Madridin.

Plani i Madridit për të bllokuar referendumin ka shkaktuar protesta masive në Barcelonë. Qindra-mijëra qytetarë dolën në rrugët e qytetit për të kërkuar atë që ata e cilësojnë si të drejtë për të vetëvendosur.

Protestuesit shprehen të pakënaqur nga vendimi i autoriteteve në Madrid për të mos zgjeruar pushtetin e parlamentit dhe qeverisë rajonale dhe kërkojnë mbajtjen e një referendumi të ngjashëm me atë skocez të zhvilluar pak ditë më parë.

Por ndërsa skocezët i thanë jo shkëputjes nga Britania e Madhe, në Spanjë situata paraqitet ndryshe, të paktën në sondazhe. Këto të fundit flasin për një mbështetje të fortë pro-pavarësisë, nxitur edhe nga kriza financiare.

Katalunja, me 7.5 milion banorë që përbën 16 përqind të popullsisë totale të Spanjës, është rajoni më i zhvilluar dhe i industrializuar i vendit. Në Barcelonë akuzojnë qeverinë qendrore në Madrid se me taksat e vendosura ndaj tyre po mban rajonet e tjera më të varfëra të vendit.

Top Channel