Irak, betejë e ashpër për Amariya al-Falluja

29/09/2014 00:00

Forcat irakiane në terren, të mbështetur edhe nga sulmet ajrore që nisën pas përplasjeve me militantë të Shtetit Islamik, duken se po arrijnë të ndalin avancimin e tyre në qytetin e Amariya al-Fallujas, 40 km në Perëndim të Bagdadit, një qytet me një pozicion strategjik.

Përplasjet e fundit vijnë në një moment kur militantët ekstremistë të ISIS po përpiqen të zgjerojnë terrenin drejt kryeqytetit, ndërsa koalicioni i udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara ka vijuar me sulmet ajrore ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak.

Zona përreth Amariya al-Falluja thuhet se është e qetë, por ka një përplasje përgjatë rrugës kryesore drejt Fallujas në Veri, një qytet që kontrollohet prej Shtetit Islamik. Ndërkohë, në intervistën e tij të së dielës për një televizion amerikan, Presidenti Barack Obama pranoi se Shtetet e Bashkuara kanë “nënvlerësuar” kërcënimin e ISIS.

Gjithashtu, ai tha se një zgjidhje politike, e cila do të përmbushë përshtatjen më të mirë mes popullsive sunite dhe shiite, do të ishte kyçe për të mposhtur xhihadistët.

Pentagoni, nga ana tjetër, shtoi se sulmet ajrore amerikane përgjatë natës kanë shënjestruar të tjera pozicione të Shtetit Islamik në provincën e Anbarit, 80 km larg Bagdadit. Ndërsa në Siri, avionët luftarakë amerikanë kanë goditur 4 rafineri të tjera nafte të kontrolluara prej militantëve, shumë pranë fortesës së tyre në Raqqa.

Pentagoni tha se sulmet ishin të suksesshme, edhe pse Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Londër që monitoron konfliktin në Siri, tha se në këto sulme janë goditur kryesisht civilë.

Sulmet e natës kanë goditur provincat e Aleppos, Raqqas, Hassakeh dhe Deir al-Zour, duke goditur një magazinë gruri, ashtu sikurse edhe plantacionin më të madh të gazit në vend, sipas OSDNJ (SOHR). Kurse sulmet në qytetin e Manbijit, në provincën Aleppo, duken se kanë vrarë vetëm civilë dhe jo luftëtarë të ISIS, tha kreu i SOHR.

Top Channel