Zgjerimi i NATO-s në Ballkan, me anëtarësimin potencial të ish-republikave jugosllave të Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, mund të shihet si një “provokim”, është cituar të ketë thënë ministri i Jashtëm rus, gjatë një interviste të publikuar të hënën.

Moska ka kundërshtuar çdo zgjerim të NATO-s në zonat dikur komuniste të Lindjes dhe Juglindjes së Europës, pjesë të pandashme këto të një rivaliteti për influenca gjeo-strategjike që prej fundit të Luftës së Ftohtë, që lind në një situatë tepër të ndezur si pasojë e konfliktit me ish-republikën sovjetike të Ukrainës.

Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina ndajnë të njëjtat ambicie për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore, duke ndjekur kështu gjurmët e Shqipërisë dhe ish-republikës jugosllave, Kroacisë, të cilat u bënë anëtare të NATO-s në vitin 2009.

I pyetur në lidhje me integrimin e 3 shteteve në NATO, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha për të përditshmen boshnjake “Dnevni Avaz” se “në lidhje me zgjerimin e NATO-s, e konsideroj këtë si një gabim, madje një provokim të hapur”.

“Kjo është në njëfarë mënyrë një politikë e papërgjegjshme që minon vendosmërinë për të ndërtuar një sistem sigurie të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në Europë, të barabartë për cilindo pavarësisht se anëtar i cilit bllok është një vend”, shtoi Lavrov.

Rusia ka interesa energjitike në Ballkan, si dhe lidhje historike me sllavët e rajonit, shumica e të cilët të krishterë ortodoksë siç janë edhe rusët. Por, influenca e Moskës është venitur, pasi vendet e ish-Jugosllavisë synojnë tashmë t’i bashkohen rrjedhës europiane, me anëtarësimet e tyre në BE dhe NATO.

Republika e vogël buzë Adriatikut, Mali i Zi, duket se është më afër anëtarësimit në NATO se kushdo tjetër. Kërkesa e Bosnjes ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve etnike që kanë ngadalësuar reformat, ndërsa maqedonasit mbeten ende të bllokuar nga ngërçi prej një kohe të gjatë me Greqinë fqinje për shkak të emrit të vendit.

Vetëm Serbia, ndoshta aleati më i afërt i Rusisë në rajon, nuk është shfaqur tepër aktive për t’u anëtarësuar në NATO, kjo edhe për shkak të ndjeshmërisë politike të nxitur nga përfshirja e aleancës në luftën e vitit 1999, atëherë kundër ish-Presidentit serb Slobodan Milosevic, për t’i dhënë fund genocidit që po bëhej ndaj qytetarëve shqiptarë në Kosovë.

Lavrov konfirmoi se Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Serbinë në mesin e muajit Tetor, për të shënuar kështu 70-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi nazist, kjo e mundësuar nga luftëtarë partizanë jugosllavë dhe ushtria sovjetike.

Top Channel