Mesdheu rezulton fatal për 3 mijë emigrantë

29/09/2014 00:00

Më shumë se 3 mijë emigrantë kanë mbetur viktima të trafiqeve të paligjshme nëpër Mesdhe këtë vit, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit (IOM).

Në raportin e publikuar të hënën, IOM bëri të ditur se 3072 vdekjet e deritanishme e kanë bërë Europën destinacionin më të rrezikshëm për emigrantët e paligjshëm.

Organizata shton më tej se disa ekspertë thonë se numri i viktimave është trefish më i lartë. E megjithatë, edhe kaq sa janë shifrat zyrtare rezultojnë më shumë se dyfishi i kulmit të arritur në të kaluarën, në vitin 2011, ndërsa është thuajse 4 herë më i madh se përllogaritjet e vitit të kaluar.

Që prej Janarit, 4077 emigrantë të vdekur janë shënuar në mbarë botën, teksa 75% e tyre janë shënuar pikërisht në Europë.

Raporti prej 216 faqesh i organizatës në fjalë sugjeron se kjo shifër e lartë “reflekton rritjen dramatike të numrit të emigrantëve që kërkojnë të hyjnë në Europë”.

Përllogaritjet e IOM vijnë vetëm pak javë pasi u shënua një prej incidenteve më fatale në brigjet e Mesdheut, kur një varkë emigrantësh me mbi 500 persona u përmbys pranë brigjeve të Maltës.

Të identifikosh të vdekurit në të tilla fatkeqësi është tepër e vështirë, ndaj dhe IOM thotë se vetëm pak vende kanë informacione mbi emigrantët e humbur apo ata të vdekur.

Shefi i IOM, Lacy Sëing, tha se ka ardhur koha të “përfshijnë të gjithë botën në detyrën për të ndalur këtë dhunë ndaj emigrantëve të dëshpëruar”.

Besohet se më shumë se 40 mijë emigrantë kanë vdekur që prej fillimit të këtij mijëvjeçari, nga të cilët 22 mijë janë vetëm ata që kanë gjetur vdekjen teksa synonin t’i bashkoheshin Europës.

Top Channel