Anastasi, bariu me shpirt artisti

29/09/2014 00:00

Anastas Karaj ishte vetëm tre vjeç kur nisi rrugën e artit. Bariu nga fshati i Seltës në Elbasan, edhe pse përballet çdo ditë me vështirësitë ekonomike të periferisë dhe mungesën e mjeteve, krijon tekste këngësh, i bie fyellit, kërcen, shkruan poezi, e madje reciton bukur…

Të bësh art në fshat është e vështirë, por Anastasi ka lindur me shpirt artisti. Shpesh kujton me nostalgji hapat e parë dhe mjetet rrethanore, që përdorte në atë kohë.

“Unë e kam filluar me ato pipzat e tërshërës, bilbilin e arrës, më pas në moshën 12-vjeçare kapa fyellin e prej atëherë nuk e kam ndarë asnjëherë nga dora. Kjo është për mua dhunti e natyrës”, thotë Anastas Karaj.

Mendon se, nëse ke dëshirë për të bërë diçka, mundësitë gjenden, madje edhe në këtë fshat të largët të komunës Zavalinë.

“Pasioni është vendimtar. Unë i kam vënë një objektiv vetes, kam nisur një punë pa dashje që në vogëli e kam arritur deri më sot, me synimin për ta çuar deri në fund”, tha Anastas Karaj.

Talenti dhe pasion nuk është rastësi. Babai i tij ka qenë valltar i njohur në zonë. Të tre vëllezërit e tjerë i bien fyellit dhe, së bashku, formojnë grupin e fyejve të Seltës.

Të gjithë e njohin në zonë, por fama e bariut të talentuar është përhapur pas pjesëmarrjes në tre festivale kombëtare, ku është vlerësuar madje me çmime.

Në vitin 2012 do të vinte koncerti i Strugës, për të pasuar me festivalin Folklorik të Gjermanisë dhe Austrisë. 67-vjeçari nuk e kishte menduar kurrë se nga një bari i thjeshtë mali, një ditë do të përfaqësonte denjësisht folklorin shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.

Top Channel