Cakran, aty ku pikturat bëhen në kushte të vështira

29/09/2014 00:00

Historia e piktorit të mirënjohur holandez, Van Gogh, i cili ishte shumë i varfër dhe që kurrë nuk arriti të shiste asnjë pikturë, ka një rast analog në Cakran të Fierit.

Fatmir Alliaj është një i ri me pasion shumë të madh për artin. Talenti nis që në moshë të vogël, por vështirësitë ekonomike në fshat nuk krijuan kushtet, që djaloshi të shkollohej për pikturë.

“E nisa fillimisht si një lojë fëmijësh, më pas duke u rritur e duke u shtuar pasioni për pikturën, mund të them se bëj pak nga të gjitha. Çdo gjëje të pavlerë unë përpiqem t’i jap një vlerë të veçantë”, shprehet Fatmir Alliaj.

Çdo ditë, Fatmiri kalon orë të tëra duke pikturuar tablo natyre, që deri më sot askush në fshat nuk i ka vlerësuar.

“Mundohem t’i krijoj vet shumicën e gjërave, duke nisur nga penelat kur më mungon ndonjë. Vajin e linit nuk e blej dot se është shumë i shtrenjtë, por marr vaj ulliri, e përziej me pak kripë dhe mundohem të shkrij bojrat”, thotë Fatmir Alliaj.

Të bësh art në këto kushte është e vështirë. Ai e di mirë këtë gjë… Shpesh është detyruar të bëjë sakrifica për të blerë bojrat dhe penelet.

“Kam marrë shumë gjëra prej pjesës së familjes, u kam shumë borxhe për të larë. Njëherë kam shitur telefonin për të blerë telajon, por ka pasur edhe raste kur nuk kam marrë bukën, por bojrat”, tha Fatmir Alliaj.

Maketet e punuara me kruajtëse dhëmbësh, apo punimet e drurit, janë një tjetër pasion i Fatmirit. Makete shtëpish, anije të gdhendura me dru, të gjitha punime që duan shumë kohë për t’u mbaruar, por duart e Fatmirit janë të arta.

Edhe pse në Cakran askush nuk e ka mendjen tek arti, mendon se një ditë i gjithë pasioni dhe sakrificat do t’i shpërblehen.

Top Channel