Përfundimet e tryezës Shqipëri-BE

29/09/2014 00:00

Tryeza e katërt e Dialogut të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nxorri disa përfundime, mes të cilave rivendosja e dialogut politike në vend, vijimi dhe përshpejtimi i reformave, drejtësia e të tjera.

Sa i përket reformave, Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se ku duhet të përqendrohen autoritetet nëpërmjet pesë prioriteteve kyçe të bëra publike prej kohësh e që u ritheksuan edhe në marrjen e statusit si kusht për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Kërkohet rivendosja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për të përshpejtuar reformat. Komisioneri Fyle theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes si garanci për reforma afatgjatë dhe të qendrueshme.

Në konkluzione vlerësohet ecuria e deritanishme në pesë prioritetet e paraqitura dhe kërkohet vazhdimi në këtë rrugë nga ana e autoriteteve.

Sa i përket drejtësisë Komisioneri kujtoi rëndësinë e forcimit të pavarësisë dhe rritjen e efikasitetit të gjyqësorit. Fyle theksoi se reforma gjyqësore është e rëndësishëm për të mbështetur sundimin e ligjit në vend dhe për dhënien e një shenje  në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Tryeza vlerësoi pesë grupet e punës të ngritura për secilin prioritet që ndihmojnë në plotësimin e kushteve të vendosura për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Komisioneri Fyle theksoi rëndësinë e zbatimit të veprimeve të identifikuara nga ana e grupeve të punës dhe inkurajoi punën e mëtejshme në përputhje me masat e përcaktuara në Udhërrëfyes.

Forcimi i pavarësisë së institucioneve ishte një tjetër pikë, ku përshëndeten disa nisma të vetë këtyre institucioneve që luajnë një rol të rëndësishëm në funksion të përmbushjes së kritereve.

Shqipëria e konsideron vendimin për t’i dhënë vendit statusin e kandidatit, si një inkurajim për përpjekje të mëtejshme të vendosur në procesin e reformave, të cilat në fund të fundit do të çojnë në hapjen e bisedimeve të anëtaresimit. Kryeministri Rama shpreson se vendimi për të kaluar në hapin tjetër, hapjen e bisedimeve të anëtaresimit, do të bëhet përmes një procesi të besueshëm dhe të parashikueshme, në bazë të përmbushjes së pesë prioritetet kryesore të përcaktuara në vitin 2013 nga Paketa e Zgjerimit dhe Raporti i qershorit i miratuar nga Këshilli i Europës.

Komisioni shprehet i gatshëm të vazhdojë ndihmën me ekspertë, por edhe financiare për plotësimin e prioriteteve.

Pala shqiptare zotohet për një dialog konstruktiv politik mes qeverisë dhe opozitës ku ofrohet edhe një përditësim i situatës me themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian dhe angazhimi për ta bërë sa më parë funksional këtë këshill.

Së fundmi u ra dakord që të përgatiten për takimin e ardhshëm të Dialogut të Nivelit të Lartë, me kontakte të rregullta për nivelin e punës qe do të vazhdojë dhe raporte të rregullta mbi zbatimin e Udhërrëfyesit miratuar më 28 maj që do të ofrojë Shqiperia. Komisioneri Fyle theksoi nevojën që Shqipëria të mbetet e fokusuar në procesin e reformave dhe të vazhdojë me rezultate të qarta dërgimin përpara të pesë prioriteteve kyçe.

Top Channel