“Si e bëra bibliotekën personale, një bibliotekë publike”

29/09/2014 00:00

Për shkak të kushteve ekonomike, jo të gjithë kanë mundësi të lexojnë libra. Bibliotekat kërkojnë fond të gjerë botimesh për t’u quajtur të tilla, por edhe përkujdesje të veçantë.

Në Sanxhak të Laçit, mësuesi i Gjuhë-Letërsisë Çezar Rica ka hapur bibliotekën personale për të gjithë fëmijët dhe studentët e zonës, duke e bërë kështu një bibliotekë publike.

Çdo ditë ai shkon i pari në “vendin e dijes” për të pritur dhjetra lexues.

“Kam 2-3 vite që lexoj libra të ndryshëm dhe shumë shpesh. Profesori e bën pa asnjë lloj interesi, ndërkohë që sjell libra edhe në shkollë, ku ne nuk kemi mundësi t’i marrim ato me vete”, tha Madona Tusha, nxënëse.

Nuk ka asnjë përfitim ekonomik nga aktiviteti. Vite më parë, godina ishte parukeri për bashkëshorten, por Çezari vendosi ta kthejë në shërbim të komunitetit.

“Është një nismë humanitare nga ana e tij, pasi shumë njerëz pa mundësi financiare për t’i blerë librat vijnë këtu e i marrin për t’i lexuar. Kjo është në të mirën e të gjithëve besoj”, shprehet një tjetër nxënëse, Romina Isaku.

“Të gjitha sakrificat që bëhen për leximin ia vlejnë”, kjo është motoja e Çezarit. Më mirë se nxënësit e tij, askush nuk mund ta kuptojë këtë.

“Ne kemi gjithashtu një bibliotekë në shkollë, por nuk është e pasur me shumë libra. Shpesh kur nuk gjejmë ndonjë libër aty vijmë e ia kërkojmë profesor Çezarit”, shtoi Romina Isaku.

Për herë të parë, biblioteka u hap në vitin 2003. Librat u morën nga biblioteka personale e Çezarit, dhurime nga mësues të letërsisë, shkrimtarë dhe sigurisht lexues të ndryshëm.

11 vite më pas, ai nuk është bërë pishman për këtë zgjedhje, përkundrazi kartelat e lexuesve shtohen përditë, ashtu si dhe lexuesit nga zonat e largëta të Laçit.

Top Channel