Merkel: BE, rishikim të parneritetit energjitik me Rusinë

29/09/2014 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë të ditur gjatë së hënës se janë të shumta arsyet për të vazhduar partneritetin energjitik të Bashkimit Europian me Rusinë në momentet aktuale, por kjo gjë mund të ndryshojë nëse Moska vazhdon të shkelë parimet bazë.

Merkel, duke folur gjatë një konference për shtyp në Berlin me kryeministrin finlandez, Alexander Stubb, tha se në terma të mesme apo afatgjata, do të ishte tepër e nevojshme të rikonsiderohej partneriteti energjitik me Rusinë.

“Ka arsye të mjaftueshme për ta vazhduar këtë partneritet me Rusinë”, tha ajo, duke theksuar se vendet e ndryshme të Bashkimit Europian kanë nivele të ndryshme varësie nga furnizimi me gazin natyror të Rusisë.

“Nuk është objektivi ynë të ndërpresin tërësisht varësinë tonë”, tha ajo, duke shtuar më tej se bashkëpunimi në sektorin energjitik është në interes të përbashkët mes BE-së dhe Rusisë.

“Megjithatë, është më se e natyrshme, që ne të rimendojmë në lidhje me ndryshimet e mundshme në terma afatmesme apo afatgjata, për sa kohë politikat e energjisë do të vazhdojnë, nëse vijohet me të njëjtën situatë të shkeljes së parimeve bazë”, tha Kancelarja, duke iu referuar respektimit të sovranitetit kombëtar.

Merkel shtoi se është tepër e rëndësishme të ruhet presioni ndaj Rusisë, dhe se Gjermania e Finlanda janë tërësisht dakord me këtë. Ajo shtoi se nuk sheh asnjë arsye përse të lehtësohen sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, të vendosura për shkak të politikave të Moskës ndaj Ukrainës.

“Fatkeqësisht, ne jemi shumë larg nga ky moment i dashur nga të gjithë”, tha ajo.

Ngërçi mes Rusisë dhe Perëndimit, që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë, ka detyruar vendet europiane të rishikojnë mundësi të reja për të reduktuar varësinë ndaj gazit natyror dhe naftës së Rusisë.

Rusia ofron rreth 1/3-tën e nevoja të BE-së për naftë dhe gaz natyror, nga të cilat rreth 40% kalon përmes rrjetit të transmetimit në Ukrainë.

Top Channel