Protesta në Kavajë, reagon edhe Basha

29/09/2014 00:00

Banorë të qytetit të Kavajës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike kanë protestuar pasdite në qendër të qytetit, duke dënuar prishjen e “Obeliskut të Demokracisë”.

Kryetari i PD-së Kavajë, Engjëll Cara, e cilësoi shkatërrimin e monumentit si një vrasje të dytë që i bëhet lirisë. Anëtarë të shoqatës “26 Marsi” e kanë konsideruar prishjen e obeliskut si një akt vandal dhe kanë paralajmëruar protesta në vazhdimësi.

Ndërkaq, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kreu demokrat Lulzim Basha e ka cilësuar akt barbar prishjen e “Monumentit të Demokracisë” në Kavajë.

“Është shprehja e urrejtjes, që Edi Rama ka jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët e lirë! Njësoj si etërit e tij politik, zgjodhi të provokojë nga Kavaja. Gabim fatal. Në labirinthet e bllokut nuk e mësoi dot modelin demokratik të qeverisjes. Specialiteti i tyre ishte shkatërrimi, propaganda, pengmarrja në emër të popullit. Tirana e flaku, por kërceu nga gardhi… Çështje kohe, shumë shpejt do shpëtojë i gjithë vendi”, mbyll reagimin Basha.

“Obelisku i Demokracisë”, i njohur dhe si “monumenti i dy gishtave”, është prishur mëngjesin e së hënës, për t’i hapur vend punimeve për rindërtimin e sheshit kryesor të qytetit.

Top Channel