Gjyqtari i Kavajës Osman Aliu, i denoncuar gati pesë muaj më parë për dhënie të vendimeve jashtë standardeve të drejtësisë, kthehet në emër shqetësues edhe për ILDKPKI.

Në mesditë, në një njoftim të Inspektoriarit të Larte të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive, thuhet se gjyqtari Aliu u kallëzua penalisht nga Inspektoriati për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë” dhe “pastrim parash”.

Inspektoriati thotë se ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta dhe pa burime të ligjshme.

Gjithashtu, vijohet më tej, “ILDKPKI do të njoftojë menjëherë Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore edhe për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu, sot (e hënë) në ambientet e ILDKPKI, i cili jo vetëm refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë, por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës”.

Nuk jepet asnjë detaj për incidentin e kësaj të hëne, të ndodhur në zyrat e ILDKPKI nga gjyqtari Aliu, ndërkohë që i kontaktuar në telefon nga Top Channel për një reagim të këtij njoftimi zyrtar, gjyqtari i Rrethit Gjyqësor Kavajë, Aliu tha “se nuk kam asnjë koment për të bërë, shkoni e pyesni ata”.

Aliu, në letrën denoncuese të Tahirit, përmendej si një ndër gjyqtarët që kishte dhënë vendime të dyshimta, veçanërisht në nëntë raste, ku të dyshuar për vepra të rënda, që nga marrëdhëniet seksuale me dhunë e deri te shpërdorimi i detyrës, janë liruar në mënyrë flagrante në sallën e gjykatës.

Menjëherë pas kësaj letre të ministrit të Brendshëm, Ministria e Drejtësisë kreu një inspektim në Gjykatën e Kavajës dhe gjeti me vend këto shkelje. Për këtë rast ende nuk ka një mbledhje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pavarësisht se kanë kaluar disa muaj.

Top Channel