Netanyahu: Irani, rrezik më të madh se sa Shteti Islamik

29/09/2014 00:00

Një Iran që zotëron armë bërthamore do të përbënte një rrezik shumë herë më të madh për botën, krahasuar me militantët e Shtetit Islamik që kanë pushtuar rajone të tëra në Siri dhe Irak. Kështu është shprehur kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë së hënës.

“Nëse s’gabohem, Shteti Islamik mund të mposhtet”, tha Netanyahu përpara punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. “Por, të mposhtësh ISIS-in dhe të lësh Iranin në prag të energjisë bërthamore, është si të fitosh një betejë dhe të humbasësh luftën”.

“Aftësitë ushtarake bërthamore të Iranit duhen shpërbërë tërësisht”, shtoi më tej ai.

Netanyahu deklaroi se qëllimi i “sjelljes miqësore” të Teheranit ndaj Perëndimit është heqja e sanksioneve ndërkombëtare dhe “heqja e pengesave për rrugën e Iranit drejt bombës atomike”.

Në fjalimin e tij, Netanyahu u shfaq në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e Perëndimit sërish tek Irani, pasi takimet e javës së fundit të Kombeve të Bashkuara janë dominuar kryesisht nga kërcënimi i Shtetit Islamik dhe përpjekjeve ndërkombëtare për të ndalur grupin e militantëve ekstremistë.

Netanyahu iu referua dy herë Teheranit si “Shteti Islamik i Iranit”, një lojë fjalësh mes emrit zyrtar të këtij shteti – Republika Islamike e Iranit – dhe Shtetit Islamik, të cilit shpesh herë i referohen si ISIL apo ISIS.

Ai i krahasoi gjithashtu militantët islamik në përgjithësi me nazistët. “Nazistët besonin në një racë të pastër ariane, ndërsa militantët islamik besojnë në një besim të kulluar”.

Netanyahu i është referuar me përbuzje fjalimit të Presidentit iranian Hassan Rouhani përpara Asamblesë së Përgjithshme, javën e kaluar, duke thënë se kreu i qeverisë së Teheranit “nxorri lotë krokodili” në lidhje me kërcënimin e Shtetit Islamik. Rouhani akuzoi Perëndimin dhe aleatët e tij se e kanë “ushqyer” vet grupin.

Rouhani tha se mbështet përpjekjet për të luftuar Shtetin Islamik, një grup militantësh sunitë që e shohin shumicën shiite të Iranit si heretike, megjithatë ai tha se kjo çështje duhej zgjidhur nga rajoni, jo vendet jashtë Lindjes së Mesme.

Top Channel