Çfarë solli takimi i lartë Shqipëri-BE?

30/09/2014 00:00

Klajda Gjosha, ministrja e Integrimit Europian ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, ku foli në lidhje me takimin e nivelit të lartë Shqipëri-BE të zhvilluar gjatë ditës së hënë, për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave, si edhe për dialogun me opozitën.

Ministrja Gjosha u shpreh se tashmë jemi në rrugë të mbarë për plotësimin e 5 prioriteteve, por nuk parashikohet që këtë radhë të kemi rekomandim për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Pandi Gjata: Ditë e ngjeshur me fokus integrimin dhe 5 prioritetet kyçe, duhet të ishte edhe çështja kryesore, por bojkoti i opozitës mori goxha kohë në këtë takim. Më pas ishte edhe incidenti me deputetin e opozitës, zotin Ristani.

Klajda Gjosha: Është shumë e vërtetë që takimi i sotëm u fokusua më shumë te pjesa e dialogut se sa te pjesa e 5 prioriteteve. Kjo ka dy kuptime, në radhë të parë rëndësia që ka dialogu politik që ne duhet të kemi në vend, si një nga faktorët kyç për të çuar përpara procesin e integrimit. Por nga ana tjetër do të thotë se tashmë 5 prioritetet janë në një rrugë të mbarë sepse ne u vlerësuam në këtë rrugë me statusin e vendit kandidat. Megjithatë, fokusi kryesor ishte debati mes mazhorancës dhe opozitës, rikthimi i opozitës në Parlament, por edhe një kompromis për të dëgjuar të gjitha kërkesat që ka opozita. Ne patëm edhe një deklaratë të Kryeministrit, i cili tha se jemi të gatshëm të votojmë të gjitha kërkesat e tyre që ditën e enjte, në mënyrë që opozita të jetë pjesë e Parlamentit.

Pandi Gjata: Kjo vizitë e zotit Fyle edhe në misionin e tij të lamtumirës si Komisioner për Zgjerim, por edhe me zhvillimet në mazhorancë dhe në opozitë, a besoni se mund të afrojë palët?

Klajda Gjosha: Zoti Fyle këtë herë erdhi me një mision shumë të qartë. Kjo nuk është hera e parë që ka mungesë dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Komisioneri Fyle ishte shumë i qartë në mesazhin e tij që, kjo është e vetmja rrugë që Shqipëria duhet të ndjek për procesin e integrimit sepse ky proces nuk i takon vetëm qeverisë, i takon të gjithë shqiptarëve dhe opozitës. Unë shpresoj shumë që të mos bëjmë si gjithmonë atë që kemi bërë para ndërkombëtarëve që gjatë kohës që ata janë në Shqipëri në diskutojmë së bashku dhe me ikjen e tyre ne bëjmë të kundërtën. Unë shpresoj që ky proces të jetë bashkim i yni për të çuar përpara vendin.

Pandi Gjata: Fokusohemi te 5 prioritetet. A kishim progres nga takimi i fundit dhe specifikisht ku ka patur progres në këto 5 drejtime kyçe?

Klajda Gjosha:
Kemi dy pika kryesorë , të cilat do t’i përmbajë edhe progres-raporti. Në radhë të parë ne kemi pikënisjen për reformën në drejtësi, që do të shënoi data 6 tetor, në një konferencë të përbashkët që do të zhvillohet nga qeveria dhe Presidenti i Shqipërisë, bashkë me të gjithë aktorët kryesorë që i përkasin reformës me në krye edhe komunitetin ndërkombëtar dhe Komisionin e Venecias, por do të ketë edhe shoqëri civile. Kjo është një pikë nisje shumë e mirë sepse për herë të parë të gjitha palët do të ulen së bashku. Deri në këto momente ne kemi një konfirmim që opozita do të jetë pjesë e kësaj konference. Që nga qershori e deri tani kemi pasur rezultate edhe në luftën kundër drogës.

Pandi Gjata: Pika e dobët, ku nuk kemi pasur progresin e duhur?

Klajda Gjosha: Vazhdon puna në mënyrë intensive për 5 prioritetet. Kemi ngritjen e grupeve të punës për monitorimin e këtyre 5 prioriteteve. Ministria e Integrimit është në krye për të ruajtur datat që ne kemi vendosur te plani i punës dhe afatet kohore, të cilat duhet të plotësohen nga të gjitha ministritë. Një tjetër pjesë e rëndësishme që do të përmbajë dialogu, për të cilën të jemi të sinqertë është pikë e dobët është dialogu me opozitën.

Pandi Gjata: Pra, pjesë e progres-raportit që nuk ka ndryshuar është bashkëpunimi mes palëve, pjesa tjetër është pozitive për Shqipërinë?

Klajda Gjosha: Pjesa tjetër është goxha pozitive. Bashkëpunimi me rajonin dhe sidomos Konferenca e Berlinit ishte një hap i rëndësishëm jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë rajonit.

Pandi Gjata: A do të ketë rekomandim për çeljen e negociatave të anëtarësimit, apo jo?

Klajda Gjosha: Jo, ne nuk do të kemi rekomandim. Progres-raporti pritet të jetë pozitiv, pasi detajet e tij jepen nga pala shqiptare dhe më pas ato analizohen edhe nga Komisioni Europian. Ne jemi në dijeni të brendësisë që do të përmbajë progres-raporti, por nuk mund të themi që do të kemi një rekomandim pasi ende nuk kemi plotësuar 5 prioritetet dhe një nga pikat kyçe do të jetë përfundimi i reformës në drejtësi.

Pandi Gjata: A ka një parashikim se kur mund të kemi hapjen e negociatave?

Klajda Gjosha: Nuk do të kemi më parashikime datash, pasi është e pamundur ta bësh këtë në procesin e integrimit. Vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat na u deshën gati 5 vite. Janë dy shtylla paralele që vazhdojnë njëkohësisht. Në radhë të parë janë reformat që ndërmerr vendi dhe me sa shpejtësi kryhen dhe sa të suksesshme janë, në krahun tjetër është edhe politika e zgjerimit që ndjekin vetë vendet anëtare. Tashmë kemi një lidership të ri, kemi një politikë të re të zgjerimit. Vërtetë është thënë se nuk do të kemi zgjerim në 5 vitet e ardhshme, por kjo nuk e pengon Shqipërinë për hapjen e negociatave. Tashmë na është lënë ne në dorë për vazhdimësinë me ritme të shpejta të reformave.

Pandi Gjata: Me Këshillin Kombëtar të Integrimit a pritet ndonjë zgjidhje?

Klajda Gjosha: Unë shpresoj shumë që edhe pas takimit të së hënës të kemi një zgjidhje sepse nëse opozita i rikthehet Parlamentit ne kemi mundësi që të diskutojmë strukturën e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku theksi nuk është se kush e drejton këshillin. Këto nuk janë platforma ekstra që ngrihen për procesin e integrimit, këto janë platforma që i japin mundësi të gjithë aktorëve të jenë pjesë e tryezave të procesit të integrimit dhe sidomos shoqërisë civile, të cilës i ka munguar zëri në këtë proces.

Pandi Gjata: Do të tërhiqet mazhoranca apo opozita në këtë drejtim?

Klajda Gjosha: Nëse do të kemi një model të ofruar nga opozita dhe që i përshtatet momentit politik ku ndodhet vendi, atëherë jemi të gatshëm ta rishikojmë, por kjo nuk do të thotë që ne të shkojmë në ekstreme që të ndryshojmë totalisht lidershipin e Këshillit Kombëtar të Integrimit që t’i dhurohet opozitës apo mazhorancës, kjo nuk është pjesë e jona.

Top Channel