Lazio shkatërron Palermon, fiton dhe Udinese

30/09/2014 00:00

Me Canën në fushën e lojës, Lazio ka arritur një fitore 0-4 në fushën e vështirë të Palermos.

Sulmi lacial ka arritur të zhbllokohet pas dy ndeshjeve pa gola. Goli i parë u shënua nga serbi Filip Djordjevic në minutën e fundit të pjesës së parë, i cili i hapi rrugën një fitore bindëse për ekipin e tij dhe një triplete personale, ku arriti të shënojë edhe në minutën e 75-të dhe 83-të. Marco Parolo ishte ai që vulosi rezultatin në 0-4 në minutën e 90-të.

Lorik Cana, kapiteni i kombëtares sonë luajti gjatë gjithë takimit, ndërsa Etrit Berisha edhe në këtë ndeshje qëndroi në stol, pasi porta iu besua italianit Federico Marchetti.

Më herët gjatë së hënës, u luajt edhe ndeshja tjetër e javës së 5-të të Serie A, Udinese-Parma , ku vendasit arritën të fitojnë me rezultatin 4-2 dhe u ngjitën në vendin e tretë, vetëm 3 pikë larg kryesuesve, Juventusit dhe Romës.

Top Channel