Financat, ish të dënuarve: Plotësoni dokumentet

30/09/2014 00:00

Në përputhje me ligjin e ndryshuar “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve
politikë të regjimit komunist”, Ministria e Financave zbardh listën e
ish të dënuarve politikë, që janë gjallë dhe që deri më tani kanë
përfituar vetëm një prej kësteve të dëmshpërblimit.

Referuar njoftimit zyrtar të Financave, personat e përfshirë në këtë listë, duhet të dorëzojnë pranë këtij institucioni dokumentacionin sipas njoftimit për çdo kategori, që parashikohet në ligjin e ri, i cili ka hyrë në fuqi më datë 14 shtator 2014. Bëhet fjalë për mungesë të një prej tri dokumenteve, si: Certifikatë personale, certifikatë familjare dhe numri i llogarisë bankare. Dokumente, që në disa dosje, mungojnë, për rrjedhojë personat përkatës, referuar njoftimit të Ministrisë së Financave, janë të lutur të plotësojnë dokumentin e munguar dhe ta dorëzojnë atë pranë Drejtorisë së Dëmshpërblimeve në këtë institucion.

Personat në listë, për çdo dokument të munguar, bashkëngjitur numrit të dosjes, do të vërejnë elementin dallues X, ndërsa germën v për ato raste kur një prej dokumenteve të kërkuara ekziston në dosje. Bazuar në ligjin e ri “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, bëhet fjalë për 6 kategori përfituese, përkatësisht kategoritë me prioritet: ‘Gratë ish të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës’; ‘persona ish të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë’; ‘Persona ish të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda’; ‘Për persona ish të dënuar që janë gjallë të cilët pavarësisht moshës në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç’; ‘Për persona ish të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç’; ‘Për persona ish të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç’.

Kategoritë

“Grave ish të dënuara që jetojnë në momentin e pagesës”, u kërkohet:

Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit; Nr. llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të vendit

“Personave ish të dënuar mbi 75 vjeç në datën e hyrjes në fuqi të ligjit që vazhdojnë të jenë gjallë”, u kërkohet: certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit; nr. llogarie bankare në lek

“Personave ish të dënuar politikë të gjallë që vuajnë nga sëmundje të rënda”, u kërkohet: Raport mjekoligjor (origjinal me emra dhe mbiemra të anëtarëve me firmë të gjithsecilit dhe me vulë, jo kopje) për paaftësi të plotë për punë e lëshuar nga KEMP-i epror ose raport mjekoligjor për sëmundje onkologjike dhe sëmundje të gjakut të pashërueshme të lëshuara nga: QSUT, qendra shëndetësore universitare “Shefqet Ndroqi”; certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit; nr. llogarie bankare në lek

“Për personat ish të dënuar që janë gjallë, të cilët pavarësisht moshës në momentin e pagesës kanë fëmijë të mitur nën moshën 18 vjeç”, kërkohet: Certifikatë personale jo më e vjetër sesa një javë nga data e dorëzimit; certifikatë familjare ku të përfshihet fëmija i mitur; Certifikatë personale të fëmijës/fëmijëve të mitur; nr. llogarie bankare në lek

“Për personat ish të dënuar që nuk jetojnë, por në momentin e pagesës kanë trashëgimtarë të radhës së parë në moshë të mitur nën 18 vjeç”, kërkohet: Certifikatë vdekjeje të personit ish të dënuar; certifikatë personale e të miturit/miturve, trashëgimtarë të radhës së parë të personit ish të dënuar që nuk jeton më; certifikatë familjare të ish të dënuarit ku të përfshihen fëmija/fëmijët e mitur; dëshmi trashëgimie që të vërtetojë se fëmija i mitur është trashëgimtar ligjor; vendim gjykate të kujdestarisë mbi të miturin në rastin kur edhe nëna e të miturit nuk jeton më;

“Për personat ish të dënuar që janë gjallë dhe në momentin e pagesës nuk kanë mbushur 75 vjeç”, kërkohet: – certifikatë personale jo më e vjetër se një javë nga data e dorëzimit; nr. llogarie bankare në lek në njërën nga bankat e nivelit të dytë që vepron brenda territorit të Republikës së Shqipërisë (të siguroheni që llogaria është ende aktive ose të hapet një llogari e re).

Top Channel