Fullani mori kompetencat e guvernatorit të dytë edhe në tendera

30/09/2014 00:00

Prokuroria dyshon se ish-kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka
marrë kompetencat e guvernatorit të dytë edhe në tenderët dhe
prokurimet e drejtpërdrejta.

Prej disa javësh, Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, po heton edhe për shpenzimet e luksit të BSH-së, gjatë viteve të fundit, ku ka derdhur miliona euro për godina, rikonstruksione, qira, për ngrënie, apo edhe për udhëtime jashtë vendit. Krahas hetimeve për vjedhjen e Thesarit, ku janë marrë mbi 700 milionë lekë, prokuroria po verifikon edhe këto kontrata, tenderë, apo prokurime të drejtpërdrejta të Bankës, të cilat dyshohet se janë firmosur të gjitha nga ish-guvernatori Ardian Fullani. Dy prokurorët e kësaj çështjeje, Ndini Tavani dhe Ramadan Troci, mësohet se kanë gjetur edhe shkeljen e radhës nga Fullani, i cili nuk ka zbatuar një vendim të Këshillit Mbikëqyrës të vitit 2008, i cili bënte fjalë pikërisht për miratimin e rregullores “për procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë”.

Vendimi nr.78 i vitit 2008

Prokuroria e Tiranës ka analizuar me kujdes këtë vendim të Këshillit Mbikëqyrës, i firmosur nga vetë ish-guvernatori Ardian Fullani. Burimet nga njësia Task-Forcë pohojnë se mosemërimi i guvernatorit të dytë të Bankës së Shqipërisë, ka shtuar automatikisht kompetencat e Fullanit, ndërsa akuza po shikon edhe vendimmarrjen e zëvendësguvernatores së parë, Elisabeta Gjoni. Dyshohet se këta dy administratorë kanë qenë në disa raste kryetarë të Entit Prokurues, kur në fakt duhet të ishte zëvendësguvernatori i dytë që nuk u zgjodh nga Fullani për disa vite me radhë. Prokuroria thotë se dhjetëra tenderë janë kryer në mënyrë të paligjshme, duke mos respektuar aktin juridik, që për rastin konkret është rregullorja nr.78 e datës 19.11.2008. Akuza thotë se vendimi në fjalë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe është administruar në dosje, ndërsa të gjitha kontratat, tenderët, apo edhe prokurimet e drejtpërdrejta të BSH-së, po krahasohen me këtë rregullore. Mësohet se vendimi në fjalë është firmosur nga vetë Fullani.

Gazeta “Shqip” ka siguruar këtë vendim të Këshillit Mbikëqyrës, dhe sipas nenit 4, thuhet se zv/guvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë është kryetari i Entit të Prokurimit. “‘Kryetar i Entit Prokurues’ nënkupton zëvendësguvernatorin e dytë të

Bankës së Shqipërisë”, thuhet në këtë vendim, ku në rastin konkret, sipas burimeve të prokurorisë, këto kompetenca janë “vjedhur” nga Fullani, ndoshta edhe nga Gjoni. Hetuesit shtojnë se këto kompetenca janë marrë, duke lënë vakant për një kohë të gjatë, postin e zv/guvernatorit të dytë të BSH, veprim ky që deri tashmë nuk është përcaktuar nëse është neglizhuar qëllimisht apo nuk ishte përzgjedhur një emër i përshtatshëm, për t’ia ngarkuar këtë detyrë. Ligji e përcakton qartë se guvernatori propozon një emër për zëvendësguvernator të dytë në Këshillin Mbikëqyrës, ndërsa Fullani e ka neglizhuar për vite me radhë.

Tenderët dhe prokurimet

Prokurori që ka hetuar vjedhjen në Thesarin e Shtetit, Ramadan Troci, së bashku me prokurorin tjetër Ndini Tavani, do të hetojnë edhe tenderët e BSH-së. Mësohet se procedurat e këtyre tenderëve apo prokurimeve në Bankën e Shqipërisë dyshohet se janë bërë në mënyrë të paligjshme. Pas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, prokuroria ka nisur hetimet, ndërsa do të verifikohen disa procedura të kryera nga BSH-ja. Mësohet se me urdhër të guvernatorit Fullani, i cili është i arrestuar pas vjedhjes në Thesarin e Shtetit, janë bërë disa prokurime të drejtpërdrejta për blerje godinash, marrje selish, apo edhe ndërtime, të cilat, nëse do të bëheshin me procedura normale, do të kishin vlera shumë herë më të vogla. Por, BSH-ja ka preferuar të bëjë këto prokurime të drejtpërdrejta që i kanë sjellë pagesat miliona euro. Ka dyshime se këto miliona euro të “tepërta” kanë shkuar në xhepat e drejtuesve të Bankës së Shqipërisë, të cilët, duke pasur një buxhet më vete nga qeveria, ia lejojnë vetes edhe këtë luks. Madje, dy raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë zbuluar dhjetëra shkelje, të cilat, deri pak javë më parë, nuk ishin marrë asnjëherë në konsideratë. Dyshimet më të mëdha bien mbi transaksionin e dyshimtë të vitit 2010 mes qeverisë së asaj kohe dhe bankës, ku kjo e fundit pagoi plot 30 milionë euro për ta blerë. Ndërkohë, më vonë, u dhanë sërish miliona euro për rikonstruksione, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk kanë përfunduar. Për pasojë, ish-hotel “Dajti” vazhdon të jetë gërmadhë, teksa KLSH-ja ka kontrolluar edhe tenderët e tjerë. Vite më parë, banka vendosi të bëjë rikonstruksionin e plotë të qelisë qendrore, godinës në qendër të Tiranës. E gjithë administrata u zhvendos në ambiente të marra me qira, ku BSH-ja paguan sërish miliona euro. Ndërkohë, burimet nga prokuroria pohojnë se ka dyshime se, edhe pas rikonstruksionit të kësaj godine, BSH-ja ka bërë disa tenderë dhe prokurime të drejtpërdrejta. Bëhet fjalë për pjesën e pasme të godinës, e cila u vendos të bëhej kohët e fundit dhe që nuk ishte parashikuar të ndërtohej me planin e parë.

Top Channel