Champions, sytë tek City-Roma dhe PSG-Barça

30/09/2014 00:00

Manchester City-Roma dhe PSG-Barcelona janë dy sfidat më interesante të Champions League e cila rikthehet sonte në mbrëmje me ndeshjet e dyta në grupe.

Skuadra angleze e ka nisur me humbje këtë edicion dhe sfida ndaj Romës merr një tjetër rëndësi përsa i përket të ardhmes së saj në grup. Trajneri Pellegrini, i cili pas atij pezullimi 2-javor do ta drejtojë skuadrën nga pankina, thekson se lojtarët e tij duhet të zhvishen nga presioni dhe të bëjnë lojën e tyre, pasi vetëm kështu mund të mundin Romën, e cila nën drejtimin e Garcias nuk ka pësuar asnjë humbje këtë fillim sezoni.

Ndërkohë, po sonte në Paris do të përballen dy ekipe që pretendojnë shumë këtë sezon: PSG dhe Barcelona. Francezët e Blanc janë në krizë rezultatesh dhe këtë e tregojnë barazimet e shumta që kanë marrë këtë sezon. Por, përveç kësaj, në këtë ndeshje të rëndësishme ata nuk do të kenë as shtatlartin Ibrahimovic, i cili vazhdon të jetë i dëmtuar. Nga ana tjetër, nën drejtimin e Luis Enriques në pankinë dhe Messit e Neymar në fushë, Barcelona duket se po i rikthehet kohëve të arta, pasi deri tani ka marrë vetëm 1 barazim dhe nuk ka pësuar asnjë gol.

Një tjetër ndeshje interesante e të martës është Sporting-Chelsea. Londinezët e drejtuar nga Mourinho kryesojnë Premier League-n, por në ndeshjen e parë në Champions barazuan 1-1 me Schalken. Dyshimi i vetëm për Mourinhon është Diego Costa, i cili ende nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm të futet në fushë që nga minuta e parë.  

Top Channel