Një tjetër kompani në gazsjellësin TAP

30/09/2014 00:00

Kompania spanjolle e gazit ENAGAS i është bashkuar gazsjellësit Trans- Adriatik duke blerë 16% të aksioneve. Përmes një njoftimi zyrtar, konsorciumi bën të ditur po ashtu se kompania FLUXYS ka rritur përqindjen e aksioneve në projekt nga 16 në 19%.

Këto ndryshime pasojnë largimin e dy kompanive, asaj franceze TOTAL dhe gjermanes EON, që zotëronin respektivisht 10 dhe 9%, aksione që tashmë janë blerë nga kompanitë ENAGAS  dhe  FLUXYS.  Referuar këtyre ndryshimeve, Drejtori Ekzekutiv Kjetil Tungland tha se TAP-i është një sipërmarrje e hapur ndaj partnerëve të rinj strategjikë.

“Si një kompani e madhe gazi e me një histori të gjatë në investime të rëndësishme infrastrukturore në Europë dhe Amerikën e Jugut, ENAGAS do të përmirësojë pozicionin strategjik të TAP-it si një projekt europian që diversifikon burimin e gazit në tregjet europiane”, tha Tungland.

Aktualisht, aksionerë të TAP-it janë British Petroleum, SOCAR dhe Statoil me nga 20% të aksioneve, Fluxys me 19%, Enagás me 16% dhe Axpo me 5% të aksioneve.

Gazjellësi që kalon mbi territorin shqiptar do të transportojë gazin natyror nga fushat e Shah Deniz 2 në Azerbajxhan drejt Europës dhe shihet si një mundësi për të zbutur varësinë nga gazi rus në tregjet europiane.

Top Channel