Incidenti në takimin me komisionerin Fule

30/09/2014 00:00

“Duhej të ishte dialog i nivelit të lartë, siç edhe është quajtur, por Edi Rama e ktheu takimin e djeshëm në një bisedë të nivelit shumë të ulët”.

Partia Demokratike e bëri këtë përkufizim për të përshkruar atë që, sipas opozitës, ndodhi gjatë bisedimeve Tiranë-Bruksel, në prani të komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule.

Arben Ristani, i cili pati një replikë me kryeministrin, tregoi para mediave në mënyrë përmbledhëse atë çfarë ndodhi, por ai nuk citoi as Ramën dhe as veten.

“Unë po i adresoja komisionerit Fule shqetësimet e opozitës në lidhje me kapjen e institucioneve dhe gjendjen e rëndë të demokracisë në vend. Teksa unë flisja, Edi Rama kthehet pas shpinës sime dhe më sulmon me një fjalor të padenjë për secilin qytetar të vendit, sigurisht krejt të padenjë për një kryeministër. Etika nuk më lejon, që të riprodhoj këtu shpërthimin banal të Edi Ramës”, u shpreh deputeti Ristani.

Sipas Partisë Demokratike, incidenti në takimin e dialogut të nivelit të lartë nuk është një skandal, vetëm pse kryeministri shkel çdo etikë në komunikim, por sepse, me këto veprime pas shpine, kryeministri synon të zhvlerësojë opozitën e vendit.

“Me qëndrimin e djeshëm, Edi Rama thjesht tregoi se ai gjendet sa për sy e faqe në një tryezë më opozitën, pasi në të vërtetë vlerësimi i tij për Partinë Demokratike është krejt tjetër, është ai që shprehu nëpër dhëmbë dhe pas shpine. Qëndrimi i tij është moskonsiderimi i opozitës, shkelja e çdo konsensusi, prishja e bashkëjetesës politike dhe goditja – edhe fizike – e përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Edi Rama i vërtetë është ai, që nuk keni parë dje në kamera. Ai i kameras është i shtirur dhe i pabesueshëm nga askush”, përmbylli deklaratën deputeti Ristani.

Top Channel