Fuga: Rama nuk fyeu askënd në takim

30/09/2014 00:00

Pas deklaratës së deputetit demokrat, Drejtori i Komunikimit të Kryeministrit, ka reaguar edhe si i pranishëm gjatë zhvillimit të tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë një ditë më parë.

Në krye të këtij reagimi Endri Fuga sqaron se nuk ka si qellim t’ju tregojë shqiptarëve kush është Arben Ristani, pasi sipas tij cdo shqiptar e njeh, si personazh mediatik, si i dënuar me burg për korrupsion, si vjedhësi i votave në krye të KQZ-së, por edhe si folës përgjithësisht i dehur në foltoren e Kuvendit, thotë ai.

Në sqarim të opinionit publik ,thotë më tej Fuga, ndajmë keqardhjen  për fjalorin e përdorur nga përfaqësuesi i opozitës në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ndaj Kryeministrit të vendit.

Ai shton se Kryeministri Rama nuk iu drejtua për asnjë cast zotit Ristani në sesionin e djeshëm, i cili ka qenë plotësisht etik me përfaqësuesit e opozitës në këtë tryezë thotë ai.

“Si sharjet dje edhe shpifjet sot, flasin në të vërtetë për gjendjen e dehur të një opozite që shan të tjerët pse i merren këmbët. Dhe keqardhja është e pashmangshme kur dëgjon opozitën e vendit tënd të flasë me fjalorin e një të dehuri përpara të huajve dhe pastaj të  dalë të nesërmen e të akuzojë Kryeministrin pse asaj nuk i del pija që i ka humbur ekuilibrin?!”- përfundon reagimi i Drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga.

Top Channel