Financimi i BE për Ballkanin 2014-2020

30/09/2014 00:00

Komisioni Europian ka publikuar dokumentin strategjik për Instrumentin e dytë të Paraanëtarësimit për periudhën 2014-2020.

Për 7 vitet e ardhshme, BE zoton 11 miliardë euro gjithsej për vendet e zgjerimit, ku përfshihet Ballkani dhe Turqia. 649.5 milionë euro është pjesa e caktuar për Shqipërinë.

Një shumë të ngjashme përfitojnë dhe Maqedonia e Kosova, respektivisht 664.2 dhe 645.5 milionë euro. Mali i Zi pretendon gati 1/3-tën e kësaj shume, vetëm 270.5 milionë euro, ndërsa Serbia kryeson vendet përfituese të Ballkanit me 1.5 miliardë euro, ndërkohë që Turqia zë vendin e parë me 4.5 miliardë euro për fondet e përgatitjes për anëtarësim.

Sipas Komisionit, rregullat janë thjeshtuar për “IPA II” për të mundësuar fleksibilitet dhe orientim sipas rezultateve dhe nevojave specifike për secilin vend.

Fondet e BE-së për Shqipërinë kushtëzohen nga arritja e 62 rezultateve në tërësi për objektivat e përcaktuara në secilin sektor. Të dhënat për këtë bazohen tek INSTAT, EUROSTAT, Banka Botërore dhe raportet vjetore të Komisionit.

Gati gjysma e parave të BE-së, 320.5 mln nga 649.5mln, parashikohen për fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, demokracinë dhe mirëqeverisjen. Ky sektor përbën dhe zërin kryesor për ndihmën e Brukselit gjatë 2014-s, me 78.7 mln euro nga 83.7 milionë të përcaktuara në tërësi për këtë vit.

Diferenca prej 5 milionë eurosh shërben për politikat sociale, punësimin dhe arsimin. Kjo kategori pritet të përfitojë 69 milionë euro gjithsej, deri në 2020-n, që është dhe shifra më e ulët sipas shpërndarjes.

Bujqësia dhe zhvillimi rural kanë qasje në 92 milionë euro për 7 vitet e ardhshme, ku gjatë 2015-s nis lëvrimi i 9 milionë eurove të para. Zhvillimi rajonal dhe ekonomiko-social është përfituesi i dytë më i madh, me 168 milionë euro, nga të cilat 18 milionë euro parashikohen për vitin e ardhshëm.

Në këtë sektor përfshihet mjedisi, transporti, energjia, konkurrenca e inovacioni, por në 7 vitet që vijnë, për sektorin e energjisë nuk parashikohet asnjë fond, megjithëse dokumenti i Komisionit për Shqipërinë njeh “nevojën në vend për investime në transport, energji dhe infrastrukture, veçanërisht për trajtimin e ujit dhe menaxhimin e plehrave, që konsiderohen në fazë zhvillimi fillestare”.

Burimet e pamjaftueshme njerëzore e financiare janë në thelb të analizës së Komisionit për rrezikun e arritjes së objektivave në çdo sektor, por përmendet dhe çështja e pronave, korrupsioni, gjyqësori, informaliteti, niveli i lartë i politizimit dhe situata makroekonomike në vend e në rajon.

Gjatë periudhës 2007-2013, BE ofroi 532.4 milionë euro me “IPA I”, nga të cilat 75 mln euro shkuan për reformën e administratës publike, statistikat, prokurimin publik, tatimet e doganat, 86.5 milionë euro për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, 26.5 mln euro për forcimin e kapaciteteve në Policinë e Shtetit për luftën ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, 126 milionë euro për mjedisin dhe ndryshimet klimatike, 91 milionë euro për infrastrukturën rrugore, 13.4 mln euro në fushën e konkurrencës dhe inovacionit, 24 milionë në arsim, punësim dhe politikat sociale, si dhe 90 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Financimi pritet të jetë në formë binjakëzimesh, ndihmë teknike, ofrim pajisjesh dhe investime, përfshirë ato përmes instrumentave financiarë, thirrjet për propozime apo grante të drejtpërdrejta ndaj autoriteteve përkatëse kombëtare, si mbështetje buxhetore për sektorin nëse plotësohen kushtet, si dhe në formën e bashkëfinancimit me institucione të tjera ndërkombëtare.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel