Shqipëria dështoi të përdorë fondet

30/09/2014 00:00

Të dhënat zyrtare nga Komisioni Europian tregojnë se Shqipëria ka humbur qindra milionë euro nga fondet e disponueshme të Bashkimit Europian për shkak të problemeve me menaxhimin dhe zvarritjen e projekteve.

Përfundimi del nga raporti i fundit vjetor për implementimin e asistencës financiare për zgjerimin, i cili i përket vitit 2012. Sipas këtij dokumenti për periudhën 2007-2012 Bashkimi Europian kishte alokuar 430 milionë euro grante për vendin tonë. Por përgjatë kësaj periudhe Shqipëria ka mundur të përdorë vetëm 39 për qind të kësaj shume. Pjesa tjetër është shtyrë në kohë ose është djegur përfundimisht, një shifër që e liston Shqipërinë si një nga vendet që ka përfituar më pak nga ndihma financiare e BE.

Në shumicën e ekonomive të tjera fqinje kandidate për në BE, niveli i absorbimit të fondeve ka qenë mbi 50 për qind. Kjo do të thotë, qindra milionë euro të humbura. Dhe ndryshe nga financimet e tjera të huaja, fondet e BE nuk janë borxhe, por para të falura, të cilat ekonomia nuk ka mundur t’i përfitojë për një sërë arsyesh.

Në dokument Komisioni liston disa prej tyre, si zvarritja e lejeve të ndërtimit për projektet, mungesa e koordinimit mes qeverisë qëndrore dhe pushteti lokal  problemet me rimbursimin e TVSH dhe të tjera. Por të gjitha të lidhura me menaxhimin dhe që bëjnë përgjegjëse administratën, e cila ka humbur miliona euro fonde të falura, në një kohë që borxhi publik i vendit u rrit me ritme shpërthyese.

Top Channel