BB, 150 mln kredi për sistemin energjitik

30/09/2014 00:00

Banka Botërore miratoi kredinë prej 150 mln dollarësh, shumë kjo që do të shkojë për financimin e investimeve në sistemit energjitik të zhytur në krizë.

Zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, thotë se mbi 90 mln dollarë do të investohen në sistemin e Shpërndarjes, në të cilin nuk është investuar prej vitesh.

“Lidhen kryesisht me 3 komponentë, që janë matja e energjisë, me rreth 300 mijë matësa; me rrjetin e Shpërndarjes si komponent i dytë, instalime që reduktojnë ndërhyrjet ilegale në rrjet, ata që vjedhin energjinë; dhe komponenti i tretë është menaxhimi i sistemit”, tha Ilir Bejtja.

Pjesa tjetër e kredisë, sipas zv/ministrit Bejtja, është fond që do të lëvrohet nga Koorporata Elektro-Energjetike për blerjen e energjisë në rastet e emergjencave hidrike.

“Një pjesë e rëndësishme e kësaj kredie, rreth 30 mln dollarë, do të alokohen për situata të paparashikuara të gjenerimit të energjisë në vend, për të mbrojtur me furnizim tregun e rregulluar, kryesisht konsumatorin familjar që mbulohet nga KESH”, tha më tej Ilir Bejtja.

Zv/ministri Bejtja thotë se kredia i jep mundësinë operatorëve të Shpërndarjes e Transmetimit si dhe KESH-it, që për shtatë vite të fokusohen vetëm në kryerjen e reformave për të nisur likuidimin pas kësaj periudhe për 22 vite.

Top Channel