Mbërritja e autoambulancës për të marrë një të plagosur, një të aksidentuar apo raste të tjera urgjencash, nuk do të vonojë më shumë se 15 minuta.

Deri më tani kanë qenë të shumta ankesat nga qytetarët për mos përgjigje në kohë të urgjencës në raste të traumave apo aksidenteve të ndryshme.

Zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, shpjegon se në ligjin e ri për shërbimin e urgjencave është detajuar gjithçka për mirëfunksionimin e autoambulancave dhe mos lejimin e transportit të të aksidentuarit me mjete private, duke e dëmtuar atë më shumë.

“Sistemi i urgjencës tani të jetë në shërbim urgjencë ndaj qytetarit, pra jo më një sistem që ka handikapet dhe problematikat e veta në arritjen ndaj qytetarit. Koha maksimale që është përcaktuar, nga momenti i çuarjes në spital nga autoambulanca për të marrë shërbim, jo më shumë se 15 minuta. Pjesa e transportit është një nga pjesët më problematike, gati 80% e urgjencave mjekësore që dërgohen në strukturat tona spitalore janë me mjete private. Shumica e dëmtimeve mund të ndodhin edhe gjatë transportit. Është një nevojë imediate që jo vetëm ta plotësojmë këtë nevojë, por ta bëjmë në mënyrë profesionale”, u shpreh zv/ministri Klodian Rjepaj.

Ligji pritet të miratohet së shpejti në Parlament dhe më pas shërbimi i urgjencave do të funksionojë si institucion kombëtar, ku në Janar pritet të shtohen 25 ambulanca të reja, ndërkohë janë ofruar dhe donacione.

“Unifikohet dhe arrihet një centralizim i këtij sistemi, duke vendosur një institucion të ri, që quhet shërbimi kombëtar i urgjencës mjekësore, si koka komanduese dhe monitoruese e të gjithë sistemit të urgjencës. Së dyti, vendoset një qendër unike operacionale, ajo e komand-kontrollit, do të vendoset edhe një numër unik, ai europian 112, i cili do të përgjigjet në kohë reale e do të komandojë të gjitha autoambulancat, që tashmë nuk do të jenë më statike në vendqëndrime në qendra urbane, por do të jenë të shpërndara pothuajse në të gjithë territorin, sipas një harte të përcaktuar nga specialistët”, vijoi më tej zv/ministri Klodian Rjepaj.

Aktualisht, shërbimi i urgjencave disponon 180 autoambulanca, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar rastet e aksidenteve të shumta automobilistike në rrugë apo dhe aksidente të tjera, që ndodhin në zonat rurale dhe ato malore.

Top Channel