SHBA në Afganistan, edhe pas 2014-s

30/09/2014 00:00

Qeveria e re e Afganistanit ka nënshkruar një pakt të ri sigurie me zyrtarët amerikanë, pakt i cili do t’u lejojë trupave amerikanë të qëndrojnë në vend përtej fundit të këtij viti.

Marrëveshja u nënshkrua, siç ishte bërë e ditur, nga këshilltari i sapoemëruar për sigurinë kombëtare në Afganistan, Hanif Atmar.

Ish-Presidenti Hamid Karzai kishte refuzuar të nënshkruante Marrëveshjen për Siguri Bilaterale (BSA) me Shtetet e Bashkuara, duke përkeqësuar marrëdhëniet dhe duke shtuar më shumë frikën mbi sigurinë e vendit.

Shumica e forcave të NATO-s do të tërhiqen në fund të këtij viti, duke lënë pas vetëm 9800 trupa ushtarakë të SHBA-ve. Numri total i tyre në misionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për vitin e ardhshëm do të jetë diku te 12500, teksa pjesa e mbetur do të plotësohet nga ushtarë të vendeve aleate si Gjermania dhe Italia.

Ambasadori amerikan në Kabul, Jim Cunningham, nënshkroi gjithashtu marrëveshjen e shtyrë së tepërmi, në emër të qeverisë së Uashingtonit. BSA-ja, siç njihet nga pala amerikane, lejon disa forca speciale të huaja të qëndrojnë në vend, për të zhvilluar “operacione antiterrorizëm” dhe disa të tjerë për të mbështetur e stërvitur forcat afgane.

Bazuar në një tjetër marrëveshje të NATO-s, të nënshkruar gjithashtu të martën, disa kombe të udhëhequra prej Gjermanisë, Turqisë dhe Italisë, do të kontribuojnë me një shtesë forcash prej 3000 ushtarësh.

Trupat amerikane do të përgjysmohen në fund të vitit 2015, ndërkohë që do të tërhiqen thuajse tërësisht në fund të vitit 2016. Agjencia e lajmeve “Associated Press” raporton se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të largojnë rreth 1000 trupa në një “zyrë sigurie” pas këtij afati.

Më herët gjatë këtij viti, ishin thuajse 50 mijë trupa të NATO-s që shërbenin në Afganistan nga rreth 49 vende kontribuese, prej të cilëve 34 mijë ishin trupa nga SHBA-të.

Top Channel