Moska konfirmoi vizitën e presidentit Vladimir Putin më 16 tetor në Beograd me ftesë të homologut serb, Tomisllav Nikoliç.

Vizita përkon me 70-vjetorin e clirimit të Beogradit në Luftën e Dytë Botërore dhe autoritetet serbe kanë njoftuar zhvillimin e një parade ushtarake “si kurrë më parë”.

“Presidenti rus do të marrë pjesë në ceremonitë e 70-vjetorit të clirimit të Beogradit nga pushtimi nazist, ku do të ketë edhe një paradë ushtarake që vendi nuk e ka parë ndonjëherë në të paktën katër dekada”, deklaroi në një konferencë për shtyp kryeministri serb, Aleksandar Vucic, duke vlerësuar këtë datë historike të dyfishtë, e para për clirimin dhe e dyta për vizitën e Putin.

Ndërkohë, zyra e shtypit e presidentit rus njoftoi se bisedimet me presidentin dhe kryeministrin serb do të përqendrohen në cështjet kryesore të marrëdhënieve dypalëshe, tregti dhe ekonomi.

Kjo është vizita e katërt që Putin kryen në Serbi.

Top Channel