Siguria, incidenti në Shtëpinë e Bardhë “i papranueshëm”

30/09/2014 00:00

Drejtoresha e një agjencie, përgjegjëse për sigurinë e Presidentit Barack Obama, ka bërë të ditur se shkelja e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, më herët gjatë këtij muaji, ishte “e papranueshme”.

Drejtorja e Shërbimeve Sekrete, Julia Pierson, pritet të flasë përpara një komiteti të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilëve do t’iu premtojë se një incident i ngjashëm “nuk do të ndodhë kurrë më”, sipas fjalimit të parapërgatitur të saj.

Kreu i komitetit për mbikëqyrjen, Darrell Issa, tha se shkelja e ndodhur më 19 Shtator ishte një prej dështimeve të shumta së fundi.

Omar Gonzales, 42 vjeç, u ngjit mbi gardh dhe u ndal disa metra brenda rezidencës presidenciale. Gonzales, një veteran i luftës së Irakut, u kap vetëm kur po vraponte drejt Dhomës Lindore në një korridor të supersurvejuar, thanë zyrtarë të paidentifikuar për disa agjenci mediatike.

Fillimisht ishte raportuar se ai u ndal në dyert e “North Portico”-s. Dhoma Lindore, e gjatë dhe e zbukuruar, përdoret shpesh për adresimet presidenciale dhe pritjet formale.

Obama dhe familja e tij nuk ishin në Shtëpinë e Bardhë, kur ndodhi incidenti, pasi ishin nisur 10 minuta më herët me helikopter.

Agjencia mbrojtëse ka nisur rishikimin e të gjitha procedurave pas kësaj ngjarjeje, teksa ka ngritur një gardh të përkohshëm jashtë rezidencës më të famshme amerikane.

Gonzales, ndërkaq, është akuzuar me hyrjen e paligjshme në një ndërtesë ku është e palejuar futja, duke mbajtur një armë të rrezikshme për vdekje. Veterani i luftës irakiane ishte ndalur edhe më herët nga policia e Virxhinias, në Korrik.

Top Channel