Ukraina, BE nuk i heq sanksionet ndaj Rusisë

30/09/2014 00:00

Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, një ditë më parë, Bashkimi Europian ka vendosur të mbajë efektive sanksionet kundër Rusisë, duke gjykuar se marrëveshja për paqe e ofruar nga Ukraina nuk është tërësisht e përmbushur.

Ambasadorët e BE-së, të cilët u takuan të martën, kanë vërejtur disa “zhvillime inkurajuese” që prej arritjes së armëpushimit të 5 Shtatorit, tha një zëdhënëse e BE-së. Por, disa pjesë të tjera të marrëveshjes për paqen “janë ende të nevojshme të implementohen”, tha Maja Kocijancic.

Sanksionet kanë për objektiv disa zyrtarë të lartë rusë, ashtu sikurse dhe industrinë e naftës, firmat e mbrojtjes dhe bankat.

Qeveritë e Perëndimit dhe autoritetet ukrainase në Kiev akuzojnë Rusinë për furnizim të rebelëve separatistë në Lindje të Ukrainës me armë të rënda, por edhe futjen e trupave ruse në territorin ukrainas. Akuza të cilat Rusia i mohon.

Sanksionet e BE-së dhe SHBA-ve janë vendosur që pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë në muajin Mars. Të paktën 3200 njerëz janë vrarë në luftime që prej muajit Prill, kur rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut u përfshinë nga trazirat, ndërsa mijëra civilë të tjerë janë larguar nga zonat e konfliktit.

Një armëpushim i brishtë vazhdon të jetë në fuqi që prej 5 Shtatorit, teksa të dy palët kanë rënë dakord prej atëherë të vendosin një zonë zbutjeje prej 30 km. E megjithatë, ka pasur shpesh herë incidente të dhunshme.

Të paktën 7 ushtarë ukrainas u vranë pas një përplasjeje me rebelët prorusë pranë aeroportit të Donjeckut të hënën, incidenti me më shumë viktima për ushtrinë vendase prej marrëveshjes së armëpushimit. Në këtë rast, një predhë tanku goditi një mjet transporti me ushtarë, thanë zyrtarët.

Edhe gjatë së martës janë dëgjuar bombardime në zonën e aeroportit të Donjeckut. Ndërsa kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha javën e kaluar përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se trupat ruse janë ende duke operuar në Lindje të Ukrainës.

Ai nxiti Perëndimin të mos heqë sanksionet, deri sa vendi i tij të marrë kontrollin e plotë të të gjithë territorit të tij. Megjithatë, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Bashkimi Europian, kanë thënë se sanksionet mund të hiqen nëse situata në terren do të përmirësohet mjaftueshëm.

Top Channel