“The Voice of Albania”, të premten nis edicioni i katërt

30/09/2014 00:00

Mbërrin në edicionin e 4-t, konkursi i zërave më të mirë shqiptarë!
Emocione elektrizuese, në një spektakël që nuk ka moshë dhe kufij, do të
na shoqërojnë për 17 javë në ekranin e Top Channel.

Ky sezon premton të reja! Udhëheqës dhe trajnerë, sigurisht dhe një skenografi tërësisht ndyshe…

Përveç Alma Bektashit e Sidrit Bejlerit, ekipit të trajnerëve u bashkohen Genc Salihu; kompozitor, këngëtar, poet e producent nga Prishtina; dhe Elsa Lila, e cila rikthehet në skenën shqiptare, në një profil që nuk e kemi njohur më parë.

Nën moderimin e Ledion Liços, autorja e programit Zefina Hasani, regjisori Ergys Lubonja dhe drejtori muzikor Shpëtim Saraçi, premtojnë spektakël. Përveç zërit, këtë sezon do të jetë shumë e rëndësishme edhe historia personale, që secili konkurrent sjell me vete.

Janë të shumtë konkurrentët e paraqitur në audicione, nga të gjitha rrethet e Shqipërisë dhe nga diaspora, të cilët duan të tregojnë se mund të jenë “zëri më i mirë”!

Gjatë këtyre 3 viteve të “The Voice of Albania”, e para që mbajti në duar trofeun me simbolin karakteristik V (Voice) ishte Rina Bilurdagu, vajza nga Prizreni me trajnere Alma Bektashin.

Fituesja e edicionit të dytë ishte Venera Lumani, nga Struga, me trajner Sidrit Bejlerin, ndërsa trofeu i edicionit të tretë shkoi në Gjakovë. Fitues u shpall Florent Abrashi, një trumf i dytë ky për trajnerin Sidrit Bejleri.

“The Voice”, një patentë e krijuar nga John De Mol, u zhvillua për herë të parë në Holandë. Shteti i dytë që bleu ekskluzivitetin për të zhvilluar “The Voice” ishte Amerika, ndërsa e treta me të drejta ekskluzive ishtë “Top Channel”, që solli në Shqipëri atë që sot është një nga programet më të famshme dhe më të vlerësuara në botë.

Top Channel