Kur divat sensuale të Hollivudit mbushin 80 vjeç…

30/09/2014 00:00

Ato janë divat e kinematografisë që këtë vit mbushën 80 vjeç. Janë ato femra, të cilat me sensualitetin, bukurinë e tyre magjepsëse dhe joshjen, u shndërruan në ikona adhurimi të shumë meshkujve, dhe kjo në një epokë kur rrëzëllitja e tyre fotografohej bardhezi.

2014-a ishte viti i përvjetorëve për Brigitte Bardot, Sophia Loren dhe Shirley Mclaine. Pamja e tyre e jashtme ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, pavarësisht talentit si aktore.

Por, çfarë i shndërroi ato në adhurimin e kujtdo që i shihte? Mund të thuhet me plot gojën: natyrshmëria e sensualitetit të tyre.

* Brigitte Bardot, vajza e lindur dhe e rritur vetëm pak metra larg kullës “Eiffel”, u etiketua si femra që shpiku seksin. Zinte gjithmonë faqet e para të revistave dhe konsiderohej si fenomeni francez. Ajo nuk lodhej kurrë për t’u dukur seksi. Ajo e kishte të natyrshme atë. Po të mos kishte qenë për regjisorin e njohur të filmave, Roger Vadim, më vonë burri i saj i parë, i cili i nxorri fotografinë në kopertinën e revistës “Elle” dhe ua rekomandoi atë regjisorëve të tjerë, mbase Brigitte Bardot nuk do të ishte njohur kurrë.

Por, kur fotoja e saj u publikua, reagimi që pati në mbarë botën mund të kuptohet lehtë. Përveç bukurisë, me anë të stilit të saj unik dhe të modeleve të flokëve, Bardot ndryshoi botën femërore. Bikini i mbajtur prej saj u kthye në një aksesor të domosdoshëm. Brigitte Bardot nuk e respektonte jetën prej të famshmeje, duke u ankuar vazhdimisht për fotografët që e ndiqnin ngado.

Sot, kur ka mbushur 80 vjeç, kauza e saj është mbrojtja e kafshëve. E veshur vetëm me të zeza dhe shpesh duke përdorur një bastun si pasojë e artritit të saj, ajo tashmë e pranon: e ka lejuar me vetëdije të plotë plakjen, duke mos e penguar aspak. Edhe pse aspak nostalgjike për vitet e saj të arta, janë miliona njerëz në mbarë botën, që nuk mund ta harrojnë nimfën që çmendi të gjithë meshkujt e botës, e cila ndërroi përgjithmonë konceptin e sensualitetit femëror.

* Njihet si femra me sytë magjepsës, mollëzat tipike dhe linjat e përsosura trupore. Edhe pse në adoleshencën e saj thirrej me nofkën “kunj dhëmbësh”, për shkak se ishte shumë e dobët, pak vite më pas ajo u kthye në mishërimin e bukurisë jugore italiane.

Sofia Scicolone, e njohur me emrin e artit Sophia Loren, më 20 Shtator mbushi 80 vjeç.

Vajza e jashtëligjshme e një aktoreje, Loren nisi të fitonte bukën e gojës në rininë e saj duke marrë pjesë në konkurse bukurie. Në moshën 15-vjeçare, ajo u njoh me Carlo Pontin, regjisorin e famshëm italian, me të cilin dy dekada më pas do të martohej dhe do të kishte dy djem.

Bukuria e saj, linjat trupore dhe sensualiteti e shndërruan shumë shpejt në një legjendë të kinematografisë italiane dhe botërore. Pikat kulminante në karrierën e saj ishin viti 1954, vit në të cilin nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me “Paramount Pictures”, e më pas viti 1961, kur fitoi “Oscarin” për aktoren më të mirë jo anglishtfolëse.

Përveç talentit në kinematografi, gjatë jetës së saj, ajo është marrë me nxjerrjen në treg të disa parfumeve, bizhuterive, si dhe duke shkruar disa libra gatimi.

* Mbushi 80 vjeç në Prill të këtij viti, por nuk e konsideron veten të moshuar. “Kush e tha që 80 vjeçe quhesh plakë?” Aktorja e famshme e Hollivudit, Shirley Mclaine, është konsideruar si një ndër femrat më joshëse dhe ndër aktoret më sensuale të kohës së saj.

Mclaine hyri në industrinë e filmit pasi u zhvendos në Nju Jork si kërcimtare në “Broadëay”. Në moshën 21-vjeçare, ajo fitoi “Golden Globe”-n e saj të parë në një film të Alfred Hitchock.

Rolet dhe çmimet pasuan njëri-tjetrin, deri në vitin 2011, kur Shirley Mclaine dha deklaratën e saj të fortë: Nuk jam aspak e interesuar për famën.

Por, pamja e saj e jashtme nuk ishte arsyeja më e fortë, që e ktheu atë në ikonë. Talenti si performuese dhe si autore, e renditi atë ndër aktoret më të kërkuara dhe më të paguara të atyre viteve. Kur u pyet nga Oprah Winfrey për moshën dhe plakjen, Mclaine e kishte gati përgjigjen: Jam e kënaqur me mësimet e jetës, që i kam dhënë vetes gjatë gjithë këtyre viteve…

Top Channel