Lexues i mirë, njeri i përkryer

30/09/2014 00:00

Sa herë iu ka ndodhur të lexoni një libër? Dua të them, të keni lexuar vërtet një libër. Të ngjiteni me të, faqe më faqe. Të lidheni aq fort, sa ngadalë ai të zgjojë te ju një tjetër vetëdije?

Ti qëndron ulur, duke marrë frymë thellë me librin në duar, dhe koka fillon rrëshqitjet lart e poshtë, nga kopertina në zemër të tij. Ti fillon ndien mirënjohje për çfarë po lexon, futesh në mendime.

Ndjen se një pjesë e jotja sapo triumfoi dhe po aty ndjen humbjen e thellë. Je duke eksperimentuar diçka shumë të thellë shpirtërisht, diçka shumë intime, ndoshta edhe erotike.

Faqe pas faqeje, ti fillon transformimin intensiv, njësoj si të biesh në dashuri me një të huaj, të cilin nuk do ta takosh më kurrë, ndjen dhimbjen dhe mallin për të dhe trishtimin e një frike pafund.

Një eksperiencë që duket se drejtohet nga një tjetër shqirt, shumë i fortë dhe i qenësishëm, edhe pse vetëm për pak. Dhe në kapakun fundor, ti sheh se ke pësuar një metamorfozë.

Në fakt, sapo ke përfunduar së lexuari. Ky është leximi. Ai i devotshmi, i përkushtuar dhe bërë me shumë dëshirë, pas një libri të cilin nuk e ke mbërthyer, por është libri që të ka pushtuar të tërin.

Sa të apasionuar të tillë gjejmë sot?

Një studim i viteve 2006 dhe 2009, i publikuar nga Raymond Mar, një psikolog i universitetit “York” në Kanada, dhe Keith Oatley, një profesoreshë e psikologjisë konjuktive në universitetin e Torontos, tregon se personat të cilët lexojnë letërsi apo fiction janë më të aftë dhe më të ndjeshëm.

Një partner, i cili lexon, është një njeri shumë special. “Tashmë nuk është aspak zbulim, se personat që lexojnë janë njerëz më të mirë”, thotë studimi i dy profesorëve. Të kesh jetuar eksperiencat e të tjerëve, të kesh jetuar përmes historive të tyre, të bën të kuptosh dhe vlerësosh atë që ke.

Dikush që lexon ka pasur mundësinë të depërtojë përmes qindra shpirtrave dhe, sigurisht që ka pasur rastin të mbledhë mençurinë e të gjithëve. Ata kanë parë gjëra, që ndoshta ti nuk ke mundur dot kurrë, ata kanë jetuar dashurinë dhe vdekjen, rrënimin dhe fitimin. Ti mbase ende jo.

Epo, ata kanë mësuar se si është të jesh grua dhe si është të jesh burrë. Ata e dinë se çfarë ndien dikush që vuan. Mendja e tyre është ndriçuar përmes shekujve dhe dekadave të pajetuara.

Një tjetër studim i vitit 2010 përforcon idenë se sa më shumë libra dhe historira të kenë lexuar fëmijët, aq më e mprehtë bëhet mendja e tyre. Pra, nëse çdokush mendon se fëmija i tij është më i miri, të jeni të sigurt se ata që lexojnë janë më të mirët.

“Tek e fundit, ai na mbron nga bota e jashtme që s’ka fund. Ai na ofron një kullë vrojtimi, që ngrihet shumë lart përmbi peizazhet e mundshme”.

Ky është një përkufizim, që e lakon aq bukur idenë për librin. Shkëputur nga romani-ese i Daniel Pennac me titull “Si një roman”, sjellë në shqip nga Edmond Tupe, ky përcaktim të bën të kuptosh se sa çmim të lartë të jep qasja me librin.

I trajtuar me shumë kritikë dhe, njëherazi, me pak humor, autori bën një analizë të hollësishme mbi marrëdhënien me librin dhe kënaqësinë e të lexuarit.

Sepse çdo lexim – thotë ai, – duhet të udhëhiqet nga kënaqësia e të lexuarit. Dhe, faqe pas faqeje, Daniel Pennac përpiqet të kultivojë idenë se, që nga vegjëlia e deri te librat dhe detyrimet shkollore, lexuesi apo udhëzuesi i këtyre leximeve duhet të gjejë një mënyrë se si ta bëjë sa më tërheqëse këtë veprimtari.

Ai thekson se të lexuarit është së pari kënaqësi. Gjithkush ka të drejtën të lexojë dhe të mos lexojë, por autori i sheh me dhimbje ata që nuk e bëjnë, si njerëz që janë të dënuar të kalojnë një jetë pa ndërgjegjie dhe shumë shpejt edhe pa pyetje.

Top Channel