Në një klimë konfrontimesh të ashpra politike me opozitën, qeveria greke filloi mesditën e së martës një raund të ri negociatash me ekspertët e kreditorëve të së ashtuquajturës “Trojka”, në vlerësimin e pestë të radhës së programit të reformave, që duhet të zbatojë Athina në mënyrë që të marrë, deri në fund të këtij viti, këstin e ndihmës financiare prej 7.1 mld eurosh.

Ky raund, që konsiderohet si nga më të vështirët për shkak të volumit të reformave dhe rreth 1000 kërkesave paraprake, që Athina duhet të zbatojë në kohë rekord, zhvillohet disa muaj para zgjedhjeve presidenciale në Greqi, të cilat mund të çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nëse nuk votohet një President me konsensus.

Duke shfaqur një tepricë primare, të dytën radhazi, që vlerësohet se këtë vit do të jetë rreth 3 mld euro, kryeministri Samaras, i cili ka premtuar nga Selaniku në fillim të muajit Shtator disa lehtësime financiare, kërkon të marrë miratimin e ekspertëve të “Trojkës”, duke u kërkuar atyre në këtë fazë uljen me 30% të taksës së ndihmës për të papunët, që iu vendos çdo greku prej fillimit të krizës, 100 këste për shlyerjen e detyrimeve financiare, ulje 40% të taksës mbi automjetet, si dhe uljen e vlerës reale të pasurive të palujtshme, që ka rritur në maksimum taksat mbi to.

Ndërsa në fazën e dytë të bisedimeve, që do të zhvillohen në fund të muajit Tetor, do të negociohet me “Trojkën” për masa akoma më të rrepta financiare, që përfshijnë rritjen e moshës së pensioneve dhe një reduktim të ri të tyre, shlyerjen e kredive të këqija që kanë marrë mbi 110.000 biznese, pagat e reja të reduktuara për nëpunësit shtetërorë dhe rreth 6500 pushime nga puna në sektorin publik, deri në fund të vitit.

Negociatat e reja me “Trojkën” zhvillohen në një moment, kur në tregjet e huaja ekziston shqetësimi për sa i përket qëndrueshmërisë së borxhit kolosal grek dhe financimit të tij, nëse Greqia – sipas deklaratave të kryeministrit Samaras – do të përpiqet të dalë nga programi trevjeçar i ndihmave ekonomike të kontrolluara nga “Trojka”.

Karakteristik ishte komenti i fundit i gazetës austriake “Kurier”, sipas së cilës gjendja në Greqi është më e keqe se para vitit 2010, pasi masat e rrepta e kanë gjunjëzuar ekonominë private, ndërsa Athina ka dështuar të përfundojë reformat në sektorin shtetëror.

Top Channel