Britania, masa të ashpra kundër terrorizmit

30/09/2014 00:00

Sekretarja e shtetit britanik, Theresa May, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të marrë masa të reja për grupet ekstremiste si ISIS. May paralajmëroi se vendimet e Britanisë do të jenë të ashpra ndaj terrorizmit.

“Nëse e lëmë grupin ISIS të vazhdojë konsolidimin e tij, atëherë kalifati do të kthehet në shtetin e parë terrorist në botë. Rreziku më i madh nga ata do të vijë në momentin, që luftëtarët e ISIS do të përdorin armë kimike, apo edhe bërthamore, për të na sulmuar”, tha Theresa May.

Përfaqësuesja më e lartë e sigurisë britanike shtoi se departamentet e informacioneve sekrete duhet të jenë më vigjilente, për të hetuar skemat mbi bazën e të cilave ISIS funksionon.

“ISIS po kthehet në kërcënim edhe për Britaninë. Njerëz të pafajshëm janë në rrezik tani, prandaj skemat vrasëse të ISIS duhen shkatërruar. Së pari është kompetenca e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë për të na ruajtur, ndaj Mbretëria e Bashkuar do ta perfeksionojë këtë fushë”, shtoi Theresa May.

Megjithatë, në fjalën e saj, Theresa May u shpreh se përfaqësues të lartë të qeverive dhe mediat ndërkombëtare duhet të ndalin me predikimin e mënyrës se si ISIS funksionon, pasi këto rrëfime mund të kthehen në një bumerang, duke inkurajuar terrorizmin dhe dhunën.

Top Channel