Greqia çon Shqipërinë në Bruksel

30/09/2014 00:00

Greqia ka çuar çështjen e korrigjimit të teksteve shkollore të Histori-Gjeografisë së Shqipërisë edhe në Komisionin Europian.

Sipas disa publikimeve në shtypin grek, eurodeputeti i “Demokracisë së Re” Manolis Kefalogiannis ka kërkuar ndërhyrjen e Komisionit Europian, në mënyrë që të rivendoset, – siç thekson ai, – e vërteta historike në librat shkollore të Shqipërisë dhe të shmanget qartë në të ardhmen çdo akt dhe propagandë irredentiste.

Në tekstin e plotë, eurodeputeti grek shkruan se “shqiptarët i quajnë në tekstet e tyre mësimore qytetet greke të Prevezës, Igumenicës, Pargës dhe Kosturit si shqiptare”.

“Tekstet në një vend kandidat për në BE, si Shqipëria, përmbajnë me shumicë referenca irredentiste dhe përshkruajnë treva, që gjoja iu përkasin, të një vendi tjetër anëtar të BE-së”.

Sipas Kefalogiannis, edhe pse ish-ministri i Arsimit të Greqisë, Konstandinos Arvanitopoulos, kishte rënë dakord me homologen e tij shqiptare, Lindita Nikolla, që të hiqen këto referenca nga tekstet shkollore, me sa duket nuk është bërë asgjë.

Më pas, ai u referohet në mënyrë të hollësishme librave të Historisë, ku në faqet 4 dhe 7 quhen si zona shqiptare në Greqi: Çamëria, Konica, Kosturi, Follorina; ndërsa ka referenca për Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, e cila “bëri shpërndarjen e trojeve shqiptare në shtetet fqinj”. Dhe kështu, në mënyrë etnike, kulturore dhe gjeografike – thekson ai, – Shqipëria shtrihet deri në Prevezë!

Gjithashtu përmenden faqet 8, 29 dhe 134-135, me referenca historike për dhënien e krahinës shqiptare të Çamërisë, Greqisë në 1913. Në hartën politike të trevave shqiptare, ka të dhëna gjeografike, demografike dhe ekonomike mbi “rajonet shqiptare të Greqisë” dhe shoqërohen me fotografitë e Igumenicës dhe Pargës.

Në fund, ai thekson se edhe faqet 10-11 dhe 188-190, të librit të Gjeografisë së klasës së 12, kanë referenca historike irredentiste për Epirin, nga kohët e lashta deri në vitin 1913, si dhe imazhe fotografike të Igumenicës dhe Pargës dhe të dhëna të ndryshme për Çamërinë.

Kjo kërkesë e Greqisë në KE vjen vetëm disa ditë, pasi dy deputetë të Parlamentit grek kanë thirrur në interpelancë ministrin e Arsimit, Andreas Loverdos, për të kërkuar menjëherë tek autoritetet shqiptare korrigjimin e këtyre teksteve shkollore.

Top Channel