Turin e informimit për situatën në Shqipëri kryetari i Partisë Demkratike Lulzim Basha e nisi me grupin parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Europian, i vetëdijshëm se së pari duhet të marrë mbështetjen e qendrës së djathtë europiane.

Me kryetarin e këtij grupi, Manfred Weber, një kristian-demkorat gjerman, Basha ngriti shqetësimin e qeverisjes anti-demokratike të vendit nëpërmjet dhunimit të opozitës dhe mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës.

Manfred Weber, kryetar i grupit parlamentar të PPE-së: Pas takimitt që zhvillova  me liderin e opozitës, më duhet të them me sinqeritet, që jam i shqetësuar.  Sjella e qeverisë socialiste nuk është një sjellje  në përputhje me modelin europian për respektimin e parimeve demokratike, për respektimin e vendimeve të Gjykatave. Kjo situatë krijon shqetësim për të ardhmen.

Lulzim Basha: Çifti Rama-Meta, pas marrjes së statusit duket se ka braktisur totalisht axhendën europiane dhe i është përkushtuar një axhende oligarkike, e cila jo vetëm nuk shfrytëzon mundësitë e Shqipërisë për të ecur përpara, por po zhbën edhe arritjet që çuan tek marrja e statusit. Është një kurs krejtësisht i kundërt me atë që priste BE, pas marrjes së statusit kandidat, është një kurs i rrezikshëm për Shqipërinë.

Për europianët e qendrës së djathtë në Parlamentin Europian krijimi i stabilitetit politik në Shqipëri sipas rregullave demokratike do të ndikojë pozitivisht edhe tek situata ekonomike në vend.

Manfred Weber: Unë i bëj thirrje të gjitha partive, por kryesisht qeverisë, që të respektojë parimet demokratike dhe veçanërisht vendimet e Gjykatave. Kjo është e  vetmja rrugë përpara. Duhet garanci e qartë për respektimin e parimeve dhe rregullave për të thithur investime. Qytetarët duan vende të reja pune, duan një situatë ekonomike të mirë për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre. Ndërtimi i një të ardhme të mirë ekonomike, kalon përmes një shtet ligjor demokratik të konsoliduar.

Kryetari i grupit të partive të qendrës së djathtë në Parlamentin Europian dha një përgjigje shumë të qartë kur u pyet nëse kjo situatë në Shqipëri do të ndikojë negativisht për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Manfred Weber: Absolutisht po. Ka shumë probleme për kredibilitetin demokratik të Shqipërisë në tryezë. Së pari, duhet të zgjidhen dhe të qartësohen problemet dhe pastaj, mund të ecet përpara.

Top Channel