Projekti “Rilindja e qyteteve” u prezantua në Lezhë ku nisën punimet për rehabilitimin e qendrës, disa rrugëve si edhe bregut të Drinit.

Kryeministri Rama tha se ky është vetëm fillimi dhe për 4 vjet në këtë qytet do të investohen sa në të dy dekadat të marra së bashku. Po ashtu ai tha se së shpejti do të ngrihet zona industriale.  

“Ky është vetëm fillimi. Më vjen për të qeshur kur e them këtë shprehje, se më kujtohen ca që u trembën nga kjo”, nisi fjalën e tij në Lezhë Rama.

Shprehjen që dikur e pati thënë në Parlament duke shkaktuar edhe reagimin e opozitës, Kryeministri Edi Rama e ka risjellë në Lezhë për të risqaruar se nënkuptimi i saj ka qenë vetëm transformimi i Shqipërisë.

Në Lezhë, pjesë e projektit kombëtar, “Rilindja e qyteteve”, kanë nisur punimet në disa kantierë për konstruksionin dhe rehabilitimin e këtij qyteti. Jo pa qëllim, punimet kanë nisur nga qendra e këtij qyteti që Kryeministri e quajti një nga gurët e cmuar të historisë dhe trashëgimisë, tek sheshi në  krah të memorialit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, që harresa disa-vjecare e pati shndërruar në parkim makinash.

“E fillojmë nga kjo zonë, për të lidhur qendrën e re të qytetit me lumin që e përshkon qytetin, që deri sot, në pamundësi të plotë nga bashkia për të bërë çfarëdo qoftë, pa mbështetjen e qeverisë në Tiranë, ishte kthyer si Lana e dikurshme në kryeqytet dhe sot po fillon të kthehet në një damar të gjelbër”, tha Rama.

Vlera e projektit të qendrës së qytetit shkon në 220 milion lekë nga Fondi Shqipar i Zhvillimit.

“Rehabilitimi i Bregut të Drinit” është projekti që përvec rikualifikimit urban të lumit që përshkon qytetin, parashikon ndërtimin e pedonales, pistën e bicikletave dhe hapësirave të gjelbëra me mbjelljen e 3400 pemëve.

Projektet parashikojnë gjithashtu rikonstruksionin e rrugës hyrëse, nga rrethrrotullimi deri në urën mbi lumin Drin, do të vishet me gur dhe do të lidhet me rrugët dytësore me sinjalistikë horizontale dhe vertikale, parashikuar brenda investimit që kap vlerën 40 milion lekë.

Projekti tjetër është rikonstruksioni i rrugës Kodër-Marlekaj, që njihet në Lezhë si zonë informale.

Për Lezhën do të investohen në 4 vjet, sa në 20 vitet e shkuara së bashku, tha Kryeministri teksa paralajmëroi edhe një tjetër projekt me rëndësi për zhvillimin ekonomik të saj; ngritjen e zonës industriale jashtë qytetit.

“Nuk po ju them që mbas realizimit të këtyre projekteve, Lezha do jetë e dyta pas Berlinit. Këtë nuk j’ua them dot, por po ju them vetëm diçka, që mbas realizimit të këtyre projekteve, të gjithë ata që presin të ndodhin ndryshime, edhe përtej kufirit të këtyre projekteve do jenë shumë më shpresëplotë dhe do ta kenë shumë më pranë ndryshimin.”, deklaroi Kryeministri. 

Top Channel