Gjykata Administrative e Tiranës vendosi mesditën e së martës rrëzimin e kërkesë-padisë së paraqitur nga ish-kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, Endirë Bushati, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, të datës 22.05.2014, për shpalljen vakant të vendit të Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

Në vendimin e saj gjyqtarja Bernina Kondi argumenton se referuar argumentimeve ligjore, funksioni i Kryetarit të AMA është i lidhur dhe i kushtëzuar me mandatin e këtij institucioni.

“Kjo sepse Kryetari i AMA nuk mund të zgjidhej për të ushtruar funksionmin e drejtuesit të ketij institucioni, nëse nuk ishte zgjedhur më parë si anëtare i këtij institucioni. Gjithashut si parim, afati i ushtrimit të të gjithë anëtarëve, duke përfshirë si Kryetarin, ashtu edhe Zëvendeskryetarin është i unifikuar, 5 – vjet. Për rrjedhojë, funksioni i drejtuesit të këtij institucioni nuk mund të dalë jashtë dhe në tejkalim të mandatit të fituar prej tij, si anëtar i këtij institucioni, mandat anëtari, i cili përbën edhe parakushtin e mundësisë të së drejtës për t’u zgjedhur Kryetar dhe për të ushtruar këtë funksion.”, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative.

Gjykata ka vlerësuar se Kuvendi me vendimin e datës 05.11.2009 ka zgjedhur Endirë Bushatin si anëtare e AMA-s, me mandat me zëvendësim, në vend të mandatit të anëtarit të dorëhqur Artan Zeneli, zgjedhur më 24.09.2007, me mandat 5-vjecar.

Rrjedhimisht, sipas Gjykatës, mandati me zëvendësim i anëtares Bushati, shtrihet deri më datën kur mbaron mandati i anëtarit të dorëhequr Artan Zeneli, pra deri më datën 24.09.2012, duke përfunduar në këtë datë.

Për këtë qëllim edhe zgjedhja e zonjës Bushati si kryetare e AMA-s në mandat të dytë duhej paraprirë me rinovimin e mandatit të saj si anëtare, që nuk ka ndodhur dhe për këtë qëllim, pas përfundimit të mandatit si anëtare ajo nuk mund të ushtrojë funksionin e kryetares së AMA-s, argumenton Gjykata Administrative e Tiranës.

Gjykata në përfundim i jep të drejtë Kuvendit të Shqipërisë për shpalljen e vendit vakant të Kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, duke e cilësuar si të drejtë dhe të bazuar në ligj e prova, si edhe njëkohësisht marrë sipas procedurës dhe formës së kërkuar nga ligji.

Me këtë vendim, Gjykata i dha fund dhe pergjigje përfundimtare pretendimeve jo vetëm ligjore, por edhe politike të zonjës Bushati dhe një pjese të opozitës.

Top Channel