“Prindërit e heshtur” Mustafai dhe Fatimja

30/09/2014 00:00

Mustafa dhe Fatime Shaba kanë 35 vjet martesë. Ata janë njohur e janë dashuruar në bankat e Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë.

Mustafai ishte djali më i madh i familjes dhe kishte 6 vëllezër e motra, 5 prej të cilëve nuk flisnin e nuk dëgjonin, pavarësisht se prindërit nuk kishin asnjë kufizim.

Ndërsa Fatimja ishte rritur në shtëpinë e fëmijës dhe mungesën e të dëgjuarit e kishte fituar për shkak të një sëmundjeje në foshnjëri.

Në moshën 19-vjeçare u martuan. Më pas u bënë prindër të dy djemve dhe, madje, janë bërë dhe gjyshër të mrekullisë së vogël të quajtur Greis.

“Kur lindën fëmijët kishim shumë frikë se mos do ishin si ne. Kur mjekët i vizituan dhe na thanë se ata do jenë normalë, ishte një çlirim i madh, një lumturi e madhe”, tregon Fatimja.

Por, rritja kishte sfidat e veta. Nëse me djalin e madh i kishin ndihmuar prindërit e Mustafait, pasi jetonin në të njëjtën shtëpi, me djalin e dytë ishte më e vështirë, pasi shteti u dha shtëpi më vete.

E çuditshme ishte se si ia bënin kur fëmijët qanin… “Edhe kur flinim natën, fëmijët i mbaja gjithmonë në krahë që ta kuptoja kur qanin, i shikoja herë pas here dhe i ndieja kur lëviznin, kështu e kuptoja”, shton më tej Fatimja.

“Ne punonim të dy rrobaqepës dhe s’kishte kush të na ndihmonte. Kisha 3 vëllezër dhe 2 motra, që ishin si ne, nuk flisnin e nuk dëgjonin. Fëmijët ishin të vegjël, normal rrëzoheshin, vriteshin, por ne nuk i kuptonim, sepse s’i dëgjonim. Vetëm kur i shihnim me sy”, tregon Mustafai:.

Mustafai tregon se pjesa më e vështirë ishte kur sëmureshin. Por, ndërsa rriteshin, vështirësitë zbuteshin dhe vështrimet bëheshin mjeti kryesor i komunikimit mes tyre. Edhe pse nuk flisnin, ata si prindër gjenin mënyrën që fëmijët e tyre të dëgjonin përralla.

“Çdo të diel i çonim te Teatri i Kukullave, te Cirku dhe shëtitje nga liqeni. Me mësimet ishim shumë të kujdesshëm. Edhe kur e tepronin me televizor, i drejtonim nga mësimet”, tregon Fatimja.

Dhe në fakt, të dy djemtë e çiftit Shaba janë me shkollë të lartë dhe me punë shumë të mira. Njëri prej tyre u ka dhënë dhe lumturinë më të madhe, Greisin, rritjen e së cilës në pjesën më të madhe të ditës ua ka besuar prindërve.

Por, sipas Mustafait, lumturia e parë më e madhe është dashuria që kanë për njëri-tjetrin.

“Gruaja është lumturia më e madhe. Pastaj fëmijët dhe padyshim mbesa. Fatimja është një grua shumë punëtore, e mençur, pa nerva dhe asaj ia dedikoj këtë familje të bukur. Jemi shumë të lumtur”.

Top Channel