Një ditë me nxënësit, që nuk flasin e nuk dëgjojnë

30/09/2014 00:00

Për fëmijët që nuk dëgjojnë, shkolla nuk është thjesht një vend ku mësohet. Për ta është i vetmi vend, ku mund të komunikojnë e të kuptohen me gjuhën e tyre të shenjave.

Rreth 100 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, që nuk kanë aftësinë e të folurit e të të dëgjuarit, mësojnë nëpërmjet gjuhës së shenjave të gjithë programin arsimor, që zhvillohet deri në klasë të nëntë.

Përveç lëndëve të zakonshme, këtu bëhen edhe disa lëndë, që mund t’u japin atyre një shpresë për të gjetur një punë në të ardhmen.

Olsi Pira është një nga 108 nxënësit e Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë. Ai është nxënës i klasës së 7 dhe shkëlqen në lëndën e këpucarisë.

“Më pëlqen këpucaria si profesion, sepse mami dhe babi do më hapin një dyqan. Kështu mund të krijoj të ardhurat e mia dhe, kur të krijoj familjen time, do jem në gjendje të kujdesem dhe ta mbaj vet atë”, tregon Olsi.

Kabinetet janë me zgjedhje. Ndërsa djemtë zgjedhin këpucarinë dhe zdrukthtarinë, vajzat përgjithësisht zgjedhin rrobaqepsinë.

Miranda Guri, mësuese e lëndës “konfeksione”, na thotë se këta nxënës kanë prirje për lëndë të tilla.

“Kuptohet që kjo kategori njerëzish ka edhe disa kompensime. Kur vjen puna te pjesa e formimit profesional, këta vërtet bëjnë mrekullira”, thotë mësuesja Miranda.

Por, këtu në shkollë, ata marrin njohuritë bazë të këtyre profesioneve, të cilat sipas mësuesve nuk janë të mjaftueshme.

“Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ata janë totalisht profesionistë dhe të gatshëm për t’u integruar. Ata integrohen, por duhet të llogarisim një fëmijë të klasës së 9, 16 vjeç, që nuk e merr njeri në punë me kaq aftësi sa kanë nga profesioni”, vijoi më tej mësuesja Guri.

Kujtim Shushollari, mësues i këpucarisë, thotë se me njohjet e veta përpiqet t’u vijë në ndihmë nxënësve, por që gjithsesi kjo mbetet një nismë personale.

“Për t’u bërë i zoti në momentin pasi mbaron shkollën, gjatë këtyre 4 viteve kam menduar për Olsin, meqë po flasim për të, ta çoj në një dyqan riparimi këpucësh dhe të lidhet konkretisht me klientin. Të mësojë çmimet e tyre dhe të shikojë se sa material duhet për këtë çmim, sa kushton materiali dhe sa është fitimi i tij, në mënyrë që duke bërë këto llogari ai të shikojë se sa i aftë është për të fituar lekun me djersë dhe me shumë mundim. Por edhe për t’u bërë i zoti i vetes, kur të dalë në jetë”, tha mësues Kujtimi.

Olsi Lelaj, nxënës i klasës së shtatë, e ka me shumë dëshirë zdrukthtarinë, sepse ka të afërm që merren me mobilje.

“Më pëlqen të mësoj, sepse e di që kur të kthehem në Lushnje do kem mundësi të punoj dhe të fitoj parà”, tregon Olsi.

Këto lëndë fillojnë në klasën e 6 dhe mbarojnë në të 9-n, vit i cili është kufiri i arsimimit për këta fëmijë. Shumë pak prej tyre, me mbështetjen e familjeve, mund të sigurojnë një punë. Të tjerët i rikthehen jetës së vështirë të mungesës së komunikimit.

Top Channel