Irak, nisin sulmet e para britanike

30/09/2014 00:00

Avionët luftarak të Forcave Ajrore të Mbretërisë (RAF) së Britanisë kanë nisur sulmet e tyre të para ndaj objektivave të Shtetit Islamik në Irak, duke goditur një vendstrehimi të armëve të rënda dhe një kamion që po transportonte armatime.

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se sulmet ishin në mbështetje të njësive kurde në Veriperëndim të vendit. Sulmet e kryera nga dy “GR4 Tornado” vijnë vetëm 4 ditë pasi Parlamenti miratoi veprimet ushtarake, si dhe raportohen të “suksesshme”.

Rreth 40 kombe janë vënë në krah të koalicionit të udhëhequr nga Amerika për të goditur shënjestrat e Shtetit Islamik, që kontrollon rajone të tëra në Irak e Siri.

Informacionet nga burime kurde thonë se sulmet e avionëve të RAF ndihmuan kurdët të rimerrnin një “pikëkalimi të rëndësishëm” në Rabia, pranë Sirisë.

Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon, tha se të dy “Tornadot” u kthyen të sigurta në bazën e tyre, pikërisht në Akrotiri të Qipros. Ai tha se ata kishin një mision për të mbështetur qeverinë irakiane.

Ministria e Mbrojtjes shtoi gjithashtu se avionët ishin në një “mision survejimi të armatosur”, kur iu është kërkuar të ndihmonin trupat kurde në Veriperëndim të Irakut. Sipas ministrisë, kurdët ishin nën sulmin e Shtetit Islamik, që në fillesat e tij është njohur edhe si ISIL apo ISIS.

Top Channel