Ristani: Ftesa e zotit Rama, aspak e sinqertë

01/10/2014 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani është shprehur se tani për tani nuk sheh zgjidhje të bojkotit të opozitës dhe se ai do të vazhdojë.

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” zoti Ristani tha se oferta e zotit Rama në Partinë Demokratike nuk është konceptuar aspak si një ftesë e sinqertë sepse, sipas tij, vjen në një klimë të acaruar, mashtrimi dhe gënjeshtrash dhe duket si një gënjeshtër e radhës.

Pandi Gjata: Pozita dhe Opozita janë në një klimë të tensionuar prej kohësh, por në fund të takimit të nivelit të lartë Shqipëri-BE patëm një ofertë të Kryeministrit Rama, kur tha që është i gatshëm për të ngritur komisionet parlamentare që kërkon opozita, madje që këtë të enjte. A po e shqyrton PD-ja këtë ofertë të zotit Rama?  

Arben Ristani:
E vërteta është që PD-ja është duke pritur për kompromis të mundshëm sepse ne jemi të bindur që ky vend ka nevojë për një politikë të qetë. Sigurisht që nuk ndjehemi mirë që jemi jashtë Parlamentit dhe sigurisht që zgjidhja do të ishte e mirëpritur. Çështja është që nuk është konceptuar aspak te ne si një ftesë e sinqertë deklarata e Kryeministrit Rama sepse vjen në një klimë të acaruar, mashtrimi dhe gënjeshtrash dhe duket si një gënjeshtër e radhës.

Pandi Gjata: Pse është mashtrimi i radhës sipas jush?

Arben Ristani: Po të shohim klimën në të cilën ishim edhe në takimin e nivelit të lartë me Komisionerin Fyle, klima ishte dhe u tensionua edhe nga Kryeministri Rama. Kjo tregon që zotërisë nuk i intereson një frymë mirëkuptimi, por i intereson të qeverisi me konflikt. Kjo nuk i bën mirë as atij vet dhe as vendit.

Pandi Gjata: Komisioneri Fyle tha se takimi ishte një mundësi për të hapur një rrugë bashkëpunimi mes palëve. Ju e keni parë si mundësi?

Arben Ristani: Që kur pranuam ftesën ne e pamë takimin si një mundësi për të biseduar. Por nuk duhet të vish në takim me paragjykim, por për të krijuar hapësira për të biseduar. Komisioneri theksoi disa herë për llojin e opozitës që bëhet faji është gjithmonë i mazhorancës. Ky është një term, të cilin ai e ka përdorur edhe kur PD-ja ishte në mazhorancë. Zoti Fyle theksoi edhe që reformat duhet të jenë gjithëpërfshirëse për të qenë të qëndrueshme.

Pandi Gjata: A është koha për një marrëveshje të shkruar mes palëve?

Arben Ristani:
Nuk besoj shumë te marrëveshjet e shkruara, por të paktën te tregimi i vullnetit. Flasim për reforma të mëdha, ajo në drejtësi është një e tillë, të cilën të gjithë e duam. Kur themi që reforma të jetë e qëndrueshme është fjala që ajo të mos varet nga palët që janë në pushtet. Por në momentin që ne presim bisedime, parlamenti mblidhet në kohë pushimi në gusht. Kushtetuta parashikon që Parlamenti punon me sesione dhe jashtë kësaj periudhe nuk mund të mblidhet Parlamenti. Ky është një sinjal që tregon se opozita nuk kërkon konsensus. Janë një sërë veprimesh që tregojnë që mazhoranca nuk kërkon bashkëpunimin dhe nuk do të japi sinjale bashkëpunimi.

Pandi Gjata: Ju fajësoni mazhorancën, ndërsa ajo ju fajëson ju. Sa mund të zgjasë ky bojkot?

Arben Ristani: Nuk është thjesht fjala jonë kundër fjalës së tyre. Njerëzit e shohin dhe e vlerësojnë situatën, ajo që ndodh është një dhunë ekstreme në Parlament, e cila është parë nga të gjithë. A nuk do të ishte e drejt që Kryeministri të dilte dhe të deklaronte që diçka e tillë nuk do të ndodhi më? Ai duhet të marrin përgjegjësinë të kontrollojë palën e tij.

Pandi Gjata: Këtë e tha pas takimit të nivelit të lartë, ku premtoi rregulla të forta në grupin e PS-së dhe tha se do të shkojmë deri në përjashtime nëse do të ketë raste të tilla.

Arben Ristani: Ky është problemi i tij se si do të menaxhojë mazhorancën e vet, ne na duhet një garanci prej tij, qoftë edhe e folur, që të marri përgjegjësitë dhe të garantojë që gjëra të tilla nuk ndodhin më në Parlament. Së dyti, janë një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese që nuk po gjejnë zbatim. Roli kryesor i opozitës është kontrolli i pushtetit nëpërmjet komisioneve parlamentare. Por kjo na është rrëzuar edhe pse e kemi kërkuar në Gjykatë Kushtetuese dhe na dha të drejtë, u kthye përsëri mbrapa dhe përsëri na e rrëzuan. Na kanë hequr mundësinë që ne të kemi një nga rolet kryesore në Parlament, na kanë hequr mundësinë për të folur. Dje kishim takim me Fylen dhe në Kavajë rrëzohet Monumenti i Demokracisë.

Pandi Gjata: Pra ju nuk shikoni dritë në fund të tunelit për të patur një zgjidhje të afërt dhe bojkoti do të vazhdojë, apo jo?

Arben Ristani: Sot për sot nuk shoh.

Top Channel