Kapiteni i portit të Vlorës, Dionis Andoni hodhi dritë për shkaqet e aksidentit  detar të ditës së martë në ujërat e detit Jon ku një traget i linjës “Brindizi-Vlorë”, u përplas me një peshkarexhë, duke i shkaktuar mbytjen.

Andoni u shpreh se ky incident mund te ishte shmangur.

“Nëse masat do të ishin marrë nga të dyja palët, si nga trageti dhe nga peshkarexha, ky incident mund të ishte evituar. Mungesa e korrektesës në punë e kapitenit të peshkarexhës dhe e ekuipazhit të tragetit kanë çuar në këtë përplasje”, tha kapiteni i i portit të Vlorës.

Sipas Andonit ky aksident është i rrallë dhe se nuk ka nevojë për të ndërmarr masa të tjera paraprake.

“Ligjet ndërkombëtare rregullojnë marrëdhëniet e lundërtarëve në det. Ka konventa të posaçme që detyron gjithsecilin t’i zbatojë ato”, shtoi Andoni.

Aksidenti ndodhi në orën 04:30 të mëngjesit, ekzaktësisht pranë ishullit të Sazanit, ku në momentin e përplasjes peshkatarët ishin hedhur vetë në det me mjetet e tyre të shpëtimit. Pas 45 minutash në vendngjarje mbërritën forcat e shpëtimit të Guarda di Finanza së bashku me rojet bregdetare. Qemal dhe Arient Lato gjatë rrëfimit të momenteve të vështira që përjetuan, thanë se shkak i aksidentit u bë neglizhenca e ekuipazhit të tragetit.

Top Channel