Rasti i parë me Ebola në SHBA

01/10/2014 00:00

Ebola mbërrin edhe në Shtetet e Bashkuara. Një person ende i paidentifikuar është diagnostikuar me virusin vdekjeprurës, i cili i ka marrë jetën mijëra personave në Afrikën Perëndimore.

Kreu i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, Dr. Tom Frieden ka konfirmuar rastin ditën e martë. Shtetasi amerikan mendohet të jetë infektuar në Liberi para se të udhëtonte për në Shtetet e Bashkuara, rreth dy javë më parë.

Personi i infektuar ishte shtrua në spital më 28 shtator, ndërsa simptomat e para të virusit ishin shfaqur tek ai që në datë 24 shtator. Sipas informacioneve paraprake të bëra publike, pacienti nuk ka qenë i përfshirë në trajtimin e të infektuarve me Ebola në Liberi.

Zyrtarët e shëndetësisë po punojnë për të identifikuar të gjithë njerëzit, të cilët kanë pasur kontakte me personin e diagnostikuar. Ata do të monitorohen për 21 ditë me radhë nëse do t’i shfaqen simptomat e virusit.

Top Channel