Vetëm një muaj pasi kanë nisur mësimin, nxënësit shqiptarë të shkollës fillore ‘Toli Zordumis’ në Kumanovë kanë lënë bankat dhe po bojkotojnë orët mësimore, për shkak se ndjehen të diskriminuar nga drejtoria e kësaj shkolle.

Edhe pse të barabartë për nga numri, nxënësit shqiptarë të klasave të para mësojnë vetëm në një paralele, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre maqedonas janë të shpërndarë në tri klasë. Trajtimi i këtillë jo i barabartë, sipas Këshillit të Prindërve, është margjinalizim dhe shkelje e të drejtave themelore të nxënësve shqiptarë për të mësuar në kushte normale.

“Kërkojmë formimin edhe të një paralele me mësim në gjuhën shqipe, duke patur parasysh numri i nxënësve shqiptarë i cili sillet rreth 30 e që mësojnë vetëm në një paralele, kurse numrit i nxënësve maqedonas sillet në 20, por janë të shpërndarë në tre paralele”, thotë Rexhail Aziri, Këshilli i Prindërve të nxënësve shqiptarë.

Këshilli i prindërve, që i prinë protestave kërkon nga drejtoria edhe respektimin e gjuhës shqipe konfrom ligjit dhe emërimin e një ndihmës drejtori shqiptar. Për këto probleme në këtë shkollë, prindërit e nxënësve fajësojnë edhe këshilltarët shqiptarë në Komunën e Kumanovës.

“Kërkojmë zbatimin e ligjit për arsim fillor, neni 13 dhe 14, gjegjësisht emri i shkollës, vula dhe mbajtja e mbledhjeve në Këshillin prindëror të shkollës të jenë edhe në gjuhën shqipe. Çështja e mos përfaqësimit adekuat në organet udhëheqëse të shkollës, administratë, bashkëpunëtor profesional, pedagog, psikolog, defektolog, stafi teknik, asnjë shqiptarë”, shton Aziri.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, drejtori i shkollës ‘Toli Zordumis’ Boban Gjorgjiev është shprehur i gatshëm për të respektuar dygjuhësinë dhe për të emëruar një ndihmës drejtor shqiptar, ndërsa për hapjen e një paralele shtesë sipas tij, duhet të vendosë Këshilli Komunal. Por, pavarësisht këtyre premtimeve, prindërit e nxënësve shqiptarë janë skeptik se kërkesat e tyre do të përmbushen, pasi siç thonë, problemi është i vjetër dhe premtimet e drejtorëve të kësaj shkolle gjithmonë nuk janë mbajtur.

Top Channel