Ujërat termale të Langaricës, kontroll koncesionarit

01/10/2014 00:00

Banorët e Përmetit ankohen për tharjen e burimit të ujërave termale të
Langaricës nga koncesionari që po ndërton aty një hidrocentral.

Duke marrë në konsideratë ankesat e komunitetit vendas dhe shqetësimet e shprehura nga organizatat në mbrojtje të mjedisit, për punimet që po kryhen për ndërtimin e hidrocentralit Langarica, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Mjedisit kanë ngritur një grup pune të përbashkët për verifikimin e gjendjes mjedisore në ndërtimin e hidrocentralit Langarica, Komuna Petran, Rrethi Përmet.

“Në objektin e punës së këtij grupi do të jetë dhe verifikimi i përmbushjes së detyrimeve të koncesionarëve sipas kontratës të koncesionit dhe kushteve të përcaktuara në lejen mjedisore të Ministrisë së Mjedisit dhe lejes zhvillimore komplekse miratuar me vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit”, njofton Ministria e Energjisë. Në përbërje të grupit të punës do të ketë përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë ashtu sikurse nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

“Ministria e Energjisë e Industrisë dhe Ministria e Mjedisit do të informojnë opinionin publik dhe organizatat mjedisore për rezultatet e verifikimit”, garantojnë autoritetet.

Top Channel