Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjes, Radovan Karadzic pranoi “përgjegjësinë morale” për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës së viteve ’90, por mohoi të ketë urdhëruar kryerjen e tyre.

Karadzic është në përfundim të mbrojtjes në Gjykatën e Hagës. Para se të paraqiste pretendimin se ndaj tij nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se ka urdhëruar gjenocid dhe krime lufte në Bosnje, ai lexoi një letër, ku thotë se nuk ishte në dijeni të vrasjeve dhe krimeve të kryera nga forcat e “Republika Serpska”.

“Në të vërtetë nën akuzë është i gjithë populli serb. Unë e di të vërtetën, prokurorët e dinë të vërtetën dhe po përpiqen të mashtrojnë gjykatën”, deklaroi Karadzic.

Ndaj ish-udhëheqësit politik të serbëve të Bosnjes rëndojnë 11 akuza, përfshirë këtu gjenocidin dhe krime lufte dhe prokurorët kërkojnë dënim me burg përjetë, vendim që pritet të merret nga gjykata në afatin kohor të një viti.

Radovan Karadzic në cilësinë e drejtuesit politik dhe Ratko Mlladic si udhëheqësi ushtarak akuzohen për orkestrimin edhe zbatimin e një plani spastrimi etnik të Bosnjes, që u mori jetën mijëra boshnjakëve myslimanë gjatë konfliktit.

Ngjarjet kulmore të luftës

6-8 Korrik 1995: Forcat e serbëve të Bosnjes nisin bombardimi me artileri të Srebrenicës

9 korrik 1995: Bombardimet përshkallëzohen dhe mijëra myslimanë zhvendosen.

10 korrik 1995: Forcat serbe bombardojnë bazën e paqeruajtësve holandezë. Këta të fundit kërkojnë mbështetje nga ajri. Mijëra të zhvendosur në kërkim të shpëtimin grumbullohen përreth bazës holandeze të OKB-së.

11 korrik 1995: Më shumë se 20 mijë boshnjakë hyjnë në bazën më të madhe holandeze në Potocari. Serbët kërcënojnë me vrasjen e 14 ushtarëve holandezë të marrë peng pas nisjes së bombardimeve nga avionët F-16. Komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladic hyn në Serbrenicë ku lëshon ultimatumin “që myslimanët të ulin armët”.

12 korrik 1995: 23 mijë gra dhe fëmijë zhvendosen nga territoret myslimane, ndërsa meshkujt nga 12 deri në 77n vjeç detyrohen të hipin nëpër kamione dhe të përfundojnë në kampet serbe me arsyetimin se “do të merreshin në pyetje”.

13 korrik 1995: Nisin vrasjet e para masive të myslimanëve civilë pranë fshatit Kravica. Paqeruajtësit holandezë u dorëzojnë forcave serbe rreth 5 mijë myslimanë që strehoheshin në bazën e tyre dhe në këmbim serbët liruan 14 pengjet.

14 korrik 1995: Nisën të dalin të dhënat e para nga masakra masive që tronditi botën.

Top Channel