Australia nis operacionet e para ndaj ISIS

01/10/2014 00:00

Turqia ka përforcuar pozicionet ushtarake në kufi me Sirinë, ndërkohë që parlamenti vendas pritet të shprehet mbi kërkesën e qeverisë për t’u bërë pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS.

Agjencia gjysmë-shtetërore e lajmeve, Anadolu njoftoi se deputetët turq pritet debatojnë mbi mocionin në një sesion special ditën e enjte, para se ta hedhin në votim atë.

Ndërkohë, një ditë më parë Britania e Madhe kreu bombardimet e para ndaj bazave të ISIS në Irak, gjë të cilën disa ditë më parë e kishte ndërmarrë në Siri. Pas Britanisë fushatës kundër terroristëve iu bashkua edhe Australia.

Kryeministri australian, Tony Abbot deklaroi para parlamentit vendas se avionët ushtarëk nisën të fluturojnë në mbështetje operacioneve aleate në Irak. Ai tha se qeveria po pret një autorizim nga pala irakiane për të ndërmarrë sulme të drejtpërdrejta ndaj ISIS, ndaj operacionet e deritanishme janë të kufizuara vetëm në mbështetje logjistike.

Shtetet e Bashkuara u bënë nismëtare për ngritjen e një aleance globale kundër ISIS. Nisma synon reduktimin e kostove të operacionit, që sipas të dhënave i ka kushtuar deri më tani Uashingtonit 1 miliard dollarë dhe kjo shifër rritet dita-ditës me shpejtësi për shkak të përdorimit të fjalës së fundit të teknologjisë.

Disa ditë më parë presidenti Obama pranoi publikisht se SHBA kishte nënvlerësuar rrezikun e ISIS dhe mbivlerësuar aftësitë e qeverisë irakiane për t’i bërë ballë përhapjes së tij, përhapje që së fundmi është shtrirë edhe në Jordan, ku qindra protestues dolën në rrugët e qytetit Ma’an me flamujt e grupit ekstremist.

Top Channel