Kurdët në sulm kundër ISIS

01/10/2014 00:00

Luftime të ashpra raportohen në një prej pikave më të rëndësishme kufitare mes Irakut dhe Sirisë ku forcat kurde po përballen me militantët e shtetit islamik. Peshmergat thuhet të kenë marrë sërish kontrollin e qytetit të Rabia-se, por kanë pësuar humbje të mëdha.

Xhihadistët e ISIS-it janë përpjekur përgjatë kësaj kohe t’i shtyjnë forcat siriane kurde në anën tjetër të kufirit. Përballja e tyre vjen në mesin e sulmeve ajrore amerikane si në Irak, ashtu dhe në Siri dhe nga sa pohojnë burime në terren, dy avionë britanike Tornado i erdhën në ndihmë kurdëve për marrjen e pikës kufitare në Rabia, rreth 100 km në veriperëndim të Mosulit, qyteti më i madh i Irakut i kontrolluar prej ekstremistëve. Këto ishin në fakt dhe te parat sulme britanike ndaj shtetit islamik në pjesën e Irakut.

Kontrolli i udhëkryqeve në Rabia dhe ndërprerja e rrugëve të furnizimit për ISIS-in shihen si hapa të rëndësishëm përpara drejt rimarrjes së mundshme të qytetit të Sinjar-it dhe rajoneve malore përreth tij.

Militantët e mësynë këtë zonë në muajin gusht duke detyruar me mijëra civilë të komunitetit minoritar Yazidi të largohen prej andej për të shpëtuar kokën. Ana tjetër e kufirit kontrollohet prej luftëtarëve sirianë kurdë, të cilët janë gjendur edhe vete nën goditjen e ISIS-it.

Më shumë se 30 prej tyre u vranë kur xhihadistët pushtuan fshatrat në jug të vijës kufitare. Të hënën, Britania kreu sulmin e parë ajror kundër ISIS-it në Irak. Ministria e Mbrojtjes njoftoi nëpërmjet mediave sociale se avionët e saj ushtarakë kanë goditur një pikë armatimi të rëndë të militantëve.

Top Channel